Mjekët Kërkojnë Kushte Të Punës Në QKUK

Doktor Armend Agolli si neurokirurg spinal ishte kthyer nga Suedia vite më parë për të punuar në QKUK.

Ai punoi për disa vjet atje me, siç thotë, probleme të shumta por pas disa vjetëve u largua për shkak të mungesës së kushteve.

Agolli thotë për emisionin “Jeta në Kosovë” se ka kërkuar vazhdimisht përkrahje nga institucionet shëndetësore në Kosovë por atë asnjëherë nuk e ka gjetur për çka edhe është larguar.

“Përkrahje kam kërkuar nga institucionet si Ministria e Shëndetësisë, drejtoria e QKUK-së. Përkrahje kam pasur vetëm nga kolegët e Klinikës së Orotpedisë kurse nga kolegët e Neurokirurgjisë e kam pasë një bllok total sidomos nga udhëheqësia e tashme dhe e atëherëshme, sabotime të ndryshme. Këto më kanë detyruar të largohem nga QKUK. Për shëmbull një set që e kemi pasur për ndërhyrje të unazave të qafës e ka pasur neurokirurgjia, atë asnjëherë nuk na është leju ta marim, është fshehur në mënyra të ndryshme”, tha Agolli.

Për mosbashkëpunim në mes të kolegëve nga repartet e tjera foli edhe drejtori i Klinikës së Neurokirurgjosë, Arsim Morina, i cili thotë se këto sete nuk duhet të dalin jashtë klinikës.

“Setet nuk mund të dalin jashtë klinikës sepse ato keqpërdoren. Nuk mund të jetë Qendra Klinike Universitare trampolinë për pacientë dhe pacientët të operohen në spitale private”, tha Morina.

Ndërsa drejtori i Klinikës së Ortopedisë Arbër Tolaj tha se duhet të bëhet një Ortopedi e Re dhe aty te vendoset edhe Qendra Spinale.

“Kemi bërë edhe kërkesën për hapjen e një reparti në kuadër të Klinikës së Ortopedisë dhe poashtu të një qendre spinale. Deri më tani nuk kemi ndonjë përgjigje konkrete qoftë gojore apo me shkrim“, tha Tolaj.

Në periudhën janar- qershor, në Kosovë 190 pacientë kanë kërkuar trajtim jashtë vendit për probleme ortopedike por vetëm 34 prej tyre u është aprovuar kërkesa.

Emisionin e plotë kushtuar gjendjes në shëndetësi mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: