Spitali në Mitrovicë | Foto: KALLXO.com
Mitrovicë- Shkarkohet drejtori dhe suspendohet anesteziologu i spitalit
Hamëz Berisha, ushtrues i detyrës të drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë është shkarkuar nga vendi i tij i punës.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Zyra e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar.
“Me arsyetimin e paralajmërimeve në vazhdimësi dhe për shkak se performanca e punës së tij është e pakënaqshme, vendimi për shkarkimin e tij është marrë me datë 20.11.2018. Pas raporteve inspektuese të bëra nga ana e menaxhmentit të SHSKUK-së, të cilat kanë gjetur disa parregullsi si në mbarëvajtje të orarit të punës nga stafi mjekësor, po ashtu edhe në menaxhimin e spitalit në përgjithësi”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Sipas SHSKUK-së nga puna është larguar përkohësisht edhe Imer Sejdiu, anesteziolog në Spitalin e Përgjithshëm ne Mitrovicë
“Ju njoftojmë se i njëjti gjatë inspektimit me datë 16.11.2018, nuk ka qenë në vendin e punës dhe në të njëjtën kohë është vërtetuar nga Inspektorati Shëndetësor se ka qenë duke punuar në një spital privat. Pas largimit të përkohshëm nga puna është proceduar në Komisionin Disiplinor për shqyrtim të mëtejmë”, thuhet në përgjigje.