Mitrovicë, i akuzuari pranon fajësinë për vrasjen e Ermal Kamberajt

Që në ditën e parë të procesit gjyqësor, Sadik Bajrami, i akuzuar për vrasjen e të riut Ermal Kamberaj në një kafiteri në Mitrovicë, e ka pranuar fajësinë për veprën për të cilën akuzohet.

Vrasja me armë zjarri kishte ndodhur në maj të vitit 2017 në lokalin “Check In” të Mitrovicës, vendi ku viktima ishte duke punuar.

Pas leximit të akuzës nga ana e prokurorit të rastit, Bajrami u deklarua se e pranon fajësinë lidhur me veprën për të cilën akuzohet, ndërsa shprehu keqardhje dhe pendim për atë se çfarë kishte ndodhur, raporton Kallxo.com.

“Po unë e ndjej veten fajtor, kërkoj falje dhe me vjen keq prej familjes”, ishin fjalët e të pandehurit në gjykatë.

Pranimi i fajësisë u mbështet edhe nga ana e prokurorit Njazi Rexha si dhe nga mbrojtësit i të pandehurit avokati Avdi Dinaj.

Pas kësaj gjykatësi Sinisha Mandushiq me aktvendim ka aprovuar pranimin e fajësisë për këtë vepër penale nga i pandehuri.

Ndërsa shpallja e aktgjykimit do të bëhet sot në gjykatën e Mitrovicës.

Foto: Kallxo.com

Sadik Bajrami akuzohet nga prokuroria se me 5 maj të vitit 2017 në lokalin “Check In“ që gjendet afër urës kryesore në Mitrovicë, në objektin e Qendres së Kulturës, kishte privuar nga jeta Ermal Kamberajn.

Sipas akuzës viktima kishte qenë në vendin e punës në cilësinë e menaxherit, ndërsa i akuzuari kishte shtënë në të me pistoletë “Crvena Zastava”.

Kurse tashmë i ndjeri Ermal Kamberi kishte vdekur si pasojë e shokut hemorragjik të shkaktuar nga gjakderdhja e jashtme dhe gjakderdhja e brendshme, si dhe dëmtimeve të shumta të organeve të barkut nga veprimi dinamik i predhave të hedhura nga arma e zjarrit.

I akuzuari Bajrami akuzohet edhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontoll ose posedim i paautorizuar i armëve.