Foto: Kallxo.com

Mitrovicë, dënohen Drejtori i Trepçës në veri dhe Zëvendësi i tij

Gjykata e Mitrovicës i ka dënuar me nga dy vjet dënim me kusht të pandehurit Jovan Dimkiq dhe Dragan Milenkoviq për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ata akuzoheshin nga Prokuroria e Mitrovicës se në cilësinë e drejtorit dhe zëvendës drejtorit të ndërmarrjes “Trepça’ në pjesën veriore të Kosovës, duke ushtruar detyrën e tyre zyrtare, kanë dëmtuar kombinatin Trepça –Veri.

Në akuzë thuhet se ata i kishin dhuruar Kishës Serbe 17.428 kg plumb të rafinuar në vlerë prej 25.752.44 euro.

Tutje në akuzë thuhet se të akuzuarit kishin lidhur kontrata me përfaqësuesin e Kishës Ortodokse Serbe, Milija Arsoviq, përmes firmës “Dynamic Trade”, të cilën e përfaqësonte Nenad Vuqintijeviq, ndërsa ishte paraparë ta bartin dhe ta përpunojnë në Shabac të Republikës së Serbisë, ku është përpunuar plumbi e pastaj është ndaluar nga Njësia e Doganës në Mitrovicë.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa në aktgjykimin e shpallur nga trupi gjykues me Burim Ademin kryetar dhe Tomislav Petroviq e Radoslav Markoviq anëtar, të akuzuarit Dimkiq e Millenkoviq janë dënuar me nga dy vite dënim me kusht, në mënyrë që për tre vite të mos kryejnë vepër tjetër penale.

Gjykatësi Burim Ademi ka treguar arsyet të cilat sipas tij, kanë ndikuar në marrjen e këtij vendimi.

“Gjykata ka pasur parasysh të gjitha provat por nuk ka mundur t’i abstrahojë detyrimet ligjore në kontest të mbikëqyrësve të ndërmarrjes ‘Trepça’ në pajtueshmëri më ligjin për riorganizimin e ndërmarrjes Trepça prandaj gjykata ka ardhur në konkluzionin që duke mos vepruar në përmbushjen e detyrave kanë kryer veprën penale dhe atë duke nxjerr vendim dhe duke nënshkruar kontrata”, tha kryetari i trupit gjykues, Burim Ademi.

“Sa i përket faktit të përfitimit të personit të tretë që ndërlidhet me elementin e qëllimit, ne jemi të vetëdijshëm se kujt është synuar për t’i ndihmuar, pra që është synuar të ndihmohet një objekt i kultit të besimit, dhe kjo mund të ketë edhe impakt emocional në raport me të pandehurit sepse janë të një besimi të tillë. Nga ana tjetër, ne nuk mund të mohojmë gjendjen reale që ka ndodhur në vitin 2004 e që kjo ndoshta edhe ka ndikuar si qëllim për t’i ndihmuar objektit të besimit por në anën tjetër këto janë vlerësuar në kontekst të rrethanave për caktimin e lartësisë dhe llojit të dënimit”, ka thënë Ademi.

Kurse gjykata ka vlerësuar se edhe ky dënim do të ketë ndikimin e duhur andaj për këtë arsye nuk ka shqiptuar dënim plotësues.