Mitrovicë, arrestohet një i dyshuar për disa vjedhje

Policia e Kosovës, Rajoni i Mitrovicës ka arritur dhe ka identifikuar një person të dyshuar për përfshirje në 3 raste të ndryshme të vjedhjeve në qytetin e Mitrovicës.

Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari është K.U., 40 vjeçar dhe rastet janë raportuar në dy ditët e fundit, ku cak i vjedhjeve ishin dyqanet në Mitrovicë.

“Si rezultat i hetimeve të zhvilluara mbi dyshimet e ngritura dhe provat e siguruara, hetuesit policorë në orët e paradites së sotme në Mitrovicë, kanë arrestuar të dyshuarin K. U., 40 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, pasi i njëjti dyshohet që në tri lokacione të ndryshme në Mitrovicë ka kryer vjedhje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Po ashtu, Policia e Kosovës ka njoftuar se në cilësi të provave materiale, tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar sendet e vjedhura si: monitor, motoçikleta dhe gjësende të ndryshme.

Pas procedurave intervistuese, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.