Foto: Mitrovica guide

‘Mitrovica Guide’ vazhdon aktivitetet për promovimin e turizmit 

Promovimi i turizmit dhe diversitetit kulturor në rajonin e Mitrovicës është projekt që ka për qëllim kryesor të zhvillojë dhe promovojë turizmin kulturor në rajonin e Mitrovicës, i cili do të përmirësojë imazhin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe të rris nivelin e promovimit të trashëgimisë kulturore, promovimin e potencialeve për turizëm kulturor si dhe promovimin e diversitetit kulturor në rajonin e Mitrovicës.

Gjatë këtij projekti ‘Mitrovica Guide’ do ta realizojë një video promocionale për trashëgimin kulturore të qytetit të Mitrovicës, një hartë orientuese turistike, si dhe një katalog me fotografi për Mitrovicën me rrethinë, të cilat do të promovohen ne platformën mitrovicaguide.com si dhe në mediet sociale.

Përmes një njoftimi për media, ‘Mitrovica Guide’ bën të ditur se gjatë këtij projekti rajoni i Mitrovicës për herë të parë do të ketë edhe disa të rinj të aftësuar si ciceronë, të cilët do të kualifikohen në bazë të trajnimeve profesionale nga kjo lëmi.

Të gjitha këto aktivitete, sipas kësaj komunikate janë në kuadër të projektit ‘’Promovimi i turizmit dhe diversitetit kulturor në rajonin e Mitrovicës’’ i cili është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“‘Mitrovica Guide’ gjithashtu ka filluar edhe projektin që ka për qëllim kryesor hapjen e Ndërmarrjes Sociale ‘Mitrovica Guide’’ e cila do të përqëndrohet në fuqizimin e grupeve të margjinalizuara ku do të ndikojë në promovimin e produkteve në dobi të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, si dhe organizimin e eventeve të ndryshme që për bazë kanë turizmin”, thuhet në njoftim.

Ndërmarrja sociale është përkrahur në kuadër të projektit “Zhvillimi dhe Fuqizimi i Qendrave Rinore në Kosovë” i financuar nga United Nation Democracy Fund-UNDEF dhe zbatuar nga Organizata Rinore ”Akti”.

Përmes kësaj ndërmarrje sociale, thuhet më tej në komunikatën e “Mitrovica Guide”,  synojmë hapjen e një pikë informuese për turizëm e cila pritet të gjejë përkrahje edhe nga Komuna e Mitrovicës.

‘Mitrovica Guide’ do të vazhdojë edhe me aktivitete tjera të cilat do t`i bëjmë publike së shpejti e që për qëllim kryesor do të kenë mbrojtjen dhe promovimin e turizmit kulturor në rajonin e Mitrovicës.