Mitrovica e Veriut Foto: Atdhe Mulla / KALLXO.com

Mitrovica e Veriut Shpenzon 9,500 euro për Iphone

Komuna e Mitrovicës së Veriut i ka shpenzuar 633 euro për një Iphone, ndërsa ka blerë 15 të tillë për punonjësit e saj, duke harxhuar për këtë qëllim 9 mijë e 500 euro nga buxheti i Komunës.

Tenderi është iniciuar me 24 nëntor 2016 me një procedurë të hapur për “Blerjen e Telefonave Mobilë për Stafin e Komunës së Mitrovicës së Veriut”.

Katër kompani kanë aplikuar, ndërsa për kontratë është rekomanduar kompania N.T “InfoCom” nga Mitrovica.

Nga publikimi i njoftimit për kontratë te sasia është specifikuar se komuna ka nevojë për 15 telefona mobilë që sipas vlerës së përgjithshme të kontraktuar i bie që një telefon të kushtojë 633.33 euro.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Mitrovicës së Veriut për zyrtarët të cilët do t’i shfrytëzojnë këta telefona, por ata nuk kanë janë përgjigjur.

Bazuar në dokumentet e publikuara në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, blerja e telefonave luksoz është arsyetuar me përmirësim të komunikimit.

“Kjo blerje do të kontribuojë në komunikim më të mirë të stafit dhe kështu edhe për të përmirësuar punën e Komunës së Mitrovicës së Veriut,” thuhet në përshkrimin e këtij aktiviteti të prokurimit.

KALLXO.com ka kontaktuar me pronarin e kompanisë fituese ” N.T “InfoCom”, Burim Haxhën. Ai ka konfirmuar se fjala është për telefona të tipit Iphone.

“Unë jam pronari i kompanisë, jam përfaqësues i kompanisë ‘Molla’ dhe shes telefona vetëm të kësaj marke tregtare, e di që komuna ka kontraktuar telefona të kësaj marke, po nuk e di saktësisht çfarë iphone do të blejnë, nëse janë iphone 6 apo 6-S, sepse unë nuk jam marrë me ato procedura,” tha Haxha.

Gjatë këtij viti disa nga institucionet tona shtetërore kanë blerë telefona mobilë dhe iPad për stafin, për të cilat vazhdimisht ka raportuar KALLXO.com

http://kallxo.com/kpmm-blen-ipad-950-eurosh/

http://kallxo.com/ministria-i-blen-samsung-s6-gjergj-dedajt/

Edhe në vitin 2014 KALLXO.com shkroi për blerjet e ipadëve për asamblistët e Kuvendit Komunal së Suharekës.

http://kallxo.com/komuna-e-suharekes-blen-ipad-e-si-kuvendi-i-kosoves/