Mitchell në Serbi: SHBA Mbështet Ushtrinë e Kosovës

Zyrtari i lartë amerikan Wess Mitchell konfirmoi mbështetjen e Amerikës për krijimin e një ushtrie të rregullt në Kosovë gjatë vizitës së tij në Serbi – e cila kundërshton fuqishëm idenë.

Ndihmëssekretari i Shtetit i SH.B.A.-së për Çështjet Evropiane dhe Euroazinë Wess Mitchell riafirmoi mbështetjen e Uashingtonit për krijimin e një ushtrie të Kosovës pas një takimi me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të mërkurën.

“Askush nuk mund të vërë veton mbi të drejtën e Kosovës për të zhvilluar forcat e saj [të armatosura],” tha Mitchell në një konferencë të përbashkët shtypi me Vuçiç, duke shtuar se çështja kërkon që Kushtetuta e Kosovës të ndryshohet.

Megjithatë, Vuçiç këmbënguli se nuk ka bazë ligjore për Kosovën që të formojë një ushtri, duke shtuar se arsyeja e vetme për të cilën po lejohet kjo është sepse SHBA e njeh pavarësinë e saj – gjë që Serbia nuk e bën.

“Unë i kërkoj kujtdo nga SHBA-të apo BE-ja të më tregojnë një dokument që lejon Kosovën të krijojë forcat e veta të armatosura. Nuk ekziston”, tha Vuçiç.

Presidenti serb gjithashtu tha se dyshonte se Kosova do të veprojë në zotimin e saj për të formuar një Asociacion Autonom të Komunave me shumicë serbe, pavarësisht thirrjeve të Mitchell për formimin e saj.

“Unë jam pothuajse i bindur se asgjë nuk do të vijë nga ‘ai biznes’. Nëse ata dëshironin ta bënin këtë, ata do ta kishin bërë atë në pesë vitet e fundit,” tha ai.

Mitchell tha edhe  Beogradi dhe Prishtina duhet të përmbushin detyrimet që rrjedhin nga negociatat e tyre të ndërjmetësuara nga BE në Bruksel.