Miratohet Projektligji për Patentë-Shofer

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri ka votuar sot amandamentimin e Projektligjit për Patentë-Shoferë pas vërejtjeve dhe sugjerimeve të shumta që janë dhënë për të në mbledhjen e kaluar. Komisioni diskutoi edhe për ndryshimet në Projektligjin për Energji

Kryesuesi i këtij Komisioni, Muhamet Mustafa, potencoi se deri te propozimi i këtij Projektligji në Kuvend mbetet të rishikohen vetëm çmimet e auto-shkollës.

Në mbledhjen e kaluar të Komisionit është propozuar  që një orë teorike minimalisht të kushtojë 2.08 euro, ndërsa një orë praktike 7.82 euro.

“Deri në aprovimin e Ligjit për Patentë-Shofer në Kuvend ne do t’i rishikojmë çmimet e auto-shkollës, do t’i krahasojmë me vendet e regjionit, mos të dalim ne me çmime më të shtrenjta  se sa vendet tjera, andaj kemi mundësi t’i korrigjojmë” tha Mustafa.

http://kallxo.com/pritet-te-shtohen-oret-e-vozitjes/

Projektligji tjetër që pritet të pësojë ndryshime është edhe ai për Energji dhe Gazin Natyror.

Nga Komisioni u propozua që për amendamentimin e Projektligjit për Energjinë të formohet një grup punues, i përbërë edhe nga dy ekspertë të fushës së energjisë, të cilët do të përzgjidhen në mbledhjen e ardhshme të Komisionit.

Në mbledhjen e Komisionit ishte i pranishëm edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, i cili u pyet edhe për përformancën e dobët të ndërmarrjeve publike të cilat u prezantuan nga kjo ministri ditë më parë, ku u kërkua që para Komisionit të prezantohen detajet e pasqyrave financiare, mbi pagën e bordeve dhe menaxhmentit të ndërmarrjeve publike.

http://kallxo.com/performance-e-dobet-e-ndermarrjeve-publike/

Ministri Stavileci potencoi se është normale që ndërmarrjet publike të kenë indikatorë matës, dhe se për përformancën e tyre vendos Kuvendi.

“Është normale që secila ndërmarrje publike të ketë indikatorë matës, dhe gjithçka që lidhet me përformancën e këtyre ndërmarrjeve, qoftë ekipore, qoftë individuale. Është Kuvendi ai i cili vendos dhe emëron bordet” tha Stavileci.