Miratohet Projektligji për Mbikëqyrjen e Kufijve

Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës u miratua Projektligji për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e kufirit shtetëror.

Rexhep Selimi deputeti nga radhët e LVV-së  kërkoi që ky projektligj t’i shkojë Kuvendit për miratim.

“Kështu që kërkoj nga komisioni që të ia sugjerojë seancës së Kuvendit në miratim për leximin e dytë”, tha Selimi.

Fatmir Shurdha, deputet i PDK-së, tha se ky projektligj saktëson shumë gjëra në lidhje me kufijtë e Kosovës.

“Ky projektligj i plotëson kriteret për çka kërkohet. Kriteret të cilat Republika e Kosovës integrohet përmes kufijve në Zonën Shengen. Kemi të bëjmë me vijën kufitare, zonën kufitare. Ne si komision kërkojmë që të aprovohet ky projektligj”, tha Shurdha.

Nuredin Ibishi, nga radhët e LDK-së, u shtroi pyetje zyrtarëve të policisë në lidhje me sistemin e kufirit shtetëror pasi përmendi se kosovarët kufirin e quajnë shtetëror, ndërsa Serbia e quan administrativ.

Përfaqësuesi i Ministrisë për Punë të Brendshme, Refki Morina, tha se dualizmi i Serbisë nuk i ka shkaktuar problem policisë kufitare kosovare.

“Ne i kemi ligjet tona, rregullativën tonë. Nuk kemi parë ndonjë problem, nuk na intereson dualizmi i Serbisë, ne e kemi legjislaturën tonë prandaj deri tash nuk kemi pasur ndonjë problem”, tha Morina.

Projektligj është i rëndësishëm për policinë kufitare, për punën  e saj në pikat kufitare dhe jashtë tyre pasi që rregullon çështjen e tërësishme të lëvizjes së të huajve, kontrollin e tyre, kontrollin kufitar, vendosjen e vulave dhe bazave të të dhënave në pikat kufitare.

Në fund të kësaj mbledhjeje kryesuesja e komisionit Ganimete Musliu tha se Projektligji për FSK-në duhet të vijë në komision si pikë e veçantë.