Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal – Foto: KALLXO.com

Miratohet Projektligji për efiçiencë të energjisë

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka shqyrtuar në parim Projektligjin për efiçiencë të energjisë dhe raportin vjetor të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave – ARH për vitin 2017.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se Projektligji për Efiçiencë të Energjisë, është hartuar duke marrë për bazë të gjitha standardet e BE-së në fushën e efiçiencës së energjisë.

Ministri Lluka u shpreh se ky Projektligj themelon Fondin e Kosovës për Efiçiencën e Energjisë, i cili do te shërbejë si një mekanizëm i qëndrueshëm, që do të ndihmojë në arritjen e caqeve të Republikës së Kosovës në fushën e efiçiencës së energjisë.

“Dëshiroj të potencoj se ky Projektligj është hartuar me ndihmën e Projektit të Mbështetur nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, dhe janë konsultuar të gjitha palët e interesit. Përveç kësaj, teksti i projektligjit është konsultuar edhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë dhe janë marrë për bazë vërejtjet dhe sugjerimet e ekspertëve ndërkombëtar të kësaj fushe”, tha ai.

Sipas tij me miratimin e këtij Projektligji, Kosova do përfitojë 10 milionë euro nga Komisioni Europian.

Ndërkaq deputetja nga grupi parlamentar i LDK-së, Mimoza Kusari – Lila tha se duhet të bëhet edhe një rishikim i këtij Projektligji, për shkak që ka mospërputhje me nene.

Ajo gjithashtu kërkoi nga ministri Lluka që të ketë edhe përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës të përfshirë në bord, pasi janë të përfshira edhe komunat.

Projektligji në parim është miratuar nga anëtarët e këtij Komisioni.

Pika e dytë e rendit të ditës në këtë Komision ishte edhe shqyrtimi raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave – ARH për vitin 2017.

Drejtori i Përgjithshëm i ARH-së, Enis Berisha ka paraqitur para Komisionit raportin vjetor.

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami u kërkoi atyre që të jenë më të zëshëm në aspektin e sigurisë në hekurudha.

Përfaqësuesit e bordit thanë se me 30 shtator të këtij viti do ta kenë edhe raportin për siguri.

Me 5 vota pro dhe një abstenim nga Hykmete Bajrami, është miratuar raporti i AHR-së për vitin 2017.

Kryetarja e Komisionit Sala Berisha- Shala tha se pas miratimit të këtij raporti ai shkon në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me ç’rast do vendoset nga Kuvendi nëse do kalojë apo jo.