Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministrat, duke shkuar në mbledhjen e Qeverisë - Foto: KALLXO.com

Miratohet Nisma për Anëtarësim në INTERPOL

Në mbledhjen e Qeverisë, zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Behar Selimi, tha se anëtarësimi në këtë organizatë ndërkombëtare ofron mundësi të mëdha të bashkëpunimit.

Ndërsa, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, tha se janë marrë të gjitha masat e nevojshme që të sigurohet mbështetja nga të gjitha vendet për anëtarësim në INTERPOL.

“Aplikimi është bërë në vitin 2015. Natyrisht që përveç aspektit ndërkombëtar gjëja më e rëndësishme është qasja e Policisë në rastet e INTERPOL-it. Ky do të ishte një raport i ri i Policisë me INTERPOL-in”, theksoi ministri.

“Dua të ju siguroj që së bashku me ministrin Hyseni kemi punuar shumë që në shtator të jemi në INTERPOL. Ministria e Financave do të duhet që edhe Ministrinë e Brendshme dhe atë të jashtme mos ta kufizojë prerjen e saj sepse duhet një buxhet tjetër për lobimin”, tha ministri Hoxhaj.

Ditë më parë, ministri Hyseni ka pranuar një letër nga kreu i INTERPOL-it Jurgen Stock me të cilën u njoftua se kjo organizatë e ka futur në agjendë votimin për pranimin e Kosovës.

http://kallxo.com/miratohet-nisma-per-anetaresim-ne-interpol/

Gjatë mbledhjes së sotme, Qeveria ka miratuar vazhdimin e kontratës edhe për një mandat të sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Forcës së Sigurisë, Shkëlzen Syla dhe sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Arben Çitakut.