Mimoza Kusari- Lila, deputete

Miratohet Amandamenti i Mimoza Kusarit për Kuotën Gjinore në Shoqëri Aksionare

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë mbështetur një amandament të Ligjit për Shoqëritë Tregtare që ka të bëjë me përfshirjen e grave në Bordet e shoqërive aksionare me kuotën 40%.

Amandamenti gjithashtu parasheh që pas dy viteve kjo kuotë të rritet në 50%.

Amandamenti i propozuar nga deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari gjeti mbështetjen e deputetëve, sado që shumë grupe parlamentare nuk e mbështetën atë.

“Një punë e lënë në gjysmë duhet të kryhet. E lumtur se sot e bëmë një hap përpara në avancimin e rolit të gruas në fuqizimin ekonomik”, tha Kusari në një koment në Facebook pas votimit të amandamentit.

“Kjo është një punë e nisur prej kohës sa isha Ministre e Tregtisë dhe Industrisë dhe jam e lumtur se u arritë të kryhet tani. Ky është një hapi përpara në avansimin e rolit të gruas në ekonomi. Falënderoj të gjithë deputetët nga i gjithë spektri politik në Kuvendin e Kosovës për mbështetjen dhe diskutimin për këtë pikë”, tha ajo.

Pavarësisht qëndrimit të grupeve parlamentare, 54 deputetë e mbështetën këtë propozim, 35 votuan kundër ndërsa 5 abstenuan.

Para se të hedhet në votim, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha se ky miratimi eventual i këtij amandamenti shkakton telashe në implementim të ligjit.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh kundër këtij propozimi pasi që, sipas tij, me të u imponohet ndërmarrjeve private si të bëhet rregullimi i brendshëm.

“Me çfarë logjike ne shkojmë e u themi sot ndërmarrjeve private s’ke qare pa e bërë pjesëmarrjen e gruas në borde 50 përqind”, tha Krasniqi.

Kundër propozimit u shprehën edhe grupet parlamentare të AAK-së dhe NISMA-s.

Ndërsa Visar Ymeri nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, tha se shteti është i obliguar të miratojë masa përmes të cilave ekonomia vihet në interes të zhvillimit shoqëror, barazisë dhe drejtësisë.

“Këtë amandament, më shumë se ndërhyrje në lirinë e ndërmarrësisë dhe të tregut, më shumë po e shoh si një kornizim të një shoqërie të drejtë, obligim të cilin e kemi ne si Kuvend e qeveria si ekzekutiv dhe secili institucion i Republikës së Kosovës”, tha Ymeri

Por propozuesja e amandamentit, Mimoza Kusari, shpjegoi se ky propozim prek vetëm shoqëritë aksionare, e jo të gjitha ndërmarrjet.

“Janë 240 shoqëri aksionare në Kosovë që me ligj kanë përgjegjësi publike. Shteti me politikat e veta, nartyrisht ka politika tatimore, me të cilat drejtpërdrejt ndikon në vendimmarrje”, tha Kusari.

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina, tha se e mbështet këtë propozim, pavarësisht qëndrimit të grupit të saj parlamentar.

“Unë distancohem nga qëndrimi i grupit parlamentar të PDK. Në tregun e punës gjithnjë kemi gra më të zhvilluara, më të përgatitura. Ndoshta me përfaqësimin e grave ne do të kemi përmirësim në menaxhimin e një ndërmarrjeje”, tha Brovina.