Komisioni për të Drejtat e Njeriut | Foto: KALLXO.com

Miratohen në komision raporti përfundimtar rreth Projektligjit për Liritë Fetare

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut është miratuar Raporti përfundimtar për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02/L-031 për Lirinë Fetare në Kosovë.

Raporti u miratua me tetë vota pro e dy kundër.

Kryetarja e komisionit Duda Balje tregoi në mbledhje se Lista Serbe do të votojë kundër Projektligjit për liritë fetare.

“Projektligji është gati me shku në leximin e dytë në parlament. Pra, Lista Serbe është kundër dhe do të votojë kundër”, tha Balje.

Anëtarja e komisionit Teuta Haxhiu votimin kundër të paralajmëruar nga Lista Serbe e cilësoi lojë politike.

“13 kërkesa, amendamente të Listës Serbe janë përkrahur nga komisioni, ndërsa dy kërkesa tjera ne i kemi refuzu. Kjo është lojë politike mospërkrahja e këtij ligji”, tha Haxhiu.

Por zëvendëskryetarja e dytë e komisionit Miljana Nikoliq nga Lista Serbe kundërshtoi fjalët e Haxhiut, duke thënë se janë përkrahur vetëm gjysma e ndryshimeve në projektligj të propozuara nga ky subjekt politik.

“7 nuk janë pranu dhe 7 janë pranu, kanë pasur të bëjnë me harmonizim gjuhësor. Kemi kërkuar dy përfaqësues të komunitetit serb në komision dhe kjo nuk është pranuar”, tha Nikoliq.

Ajo më tutje konstatoi se ka pasur amendamente që janë dërguar pas afatit, ndërsa tregoi se Lista Serbe nuk do t’i votojë ato.

“Vetëm amendamentet e Listës Serbe dhe Vetëvendosjes janë dorëzu në afat ligjor. Lista Serbe nuk voton asnjë amendament që është dorëzu pas afatit, dy javë pas leximit të parë. Nuk dëshirojmë me marrë pjesë në shkelje të ligjit të Kuvendit”, tha Nikoliq.

Por kryetarja e komisionit Duda Balje tha se nuk është shkelur ligji.

“Nëse është arsyeja pse Lista Serbe nuk e voton veç pse se kemi respektu ligjin, unë si kryetare e sqaroj në letër, me data, me orë, me krejt qysh duhet rregulloren, sepse jam e sigurt se ne nuk e kemi shkelur rregulloren”, tha Balje.

Ajo më tutje tha se komisioni nuk mbron vetëm interesat e serbëve, por edhe të të tjerëve.

“Ne këtu i kemi 6 fe, ne s’jemi këtu me mbrojtë veç interesin e serbëve, ne jemi ktu me pru ligje të mira për të gjithë. Ju jeni këtu komunitet, por jemi edhe ne të tjerët këtu. Nëse duhet me bo një ligj veç për serbët unë nuk votoj”, tha Balje.

Teuta Haxhiu tha se kundërshtimi nga Lista Serbe nuk është në interes të serbëve.

“Nëse tash ju ka ra në mend me lujtë, atëherë veproni, por nuk është e sinqertë, parimore derisa mjetet i marrim nga Kuvendi e të punojmë në interes të personave të caktum. Kjo nuk është në të mirë të komunitetit serb në Kosovë”, tha Haxhiu.

Kundër raportit votoi edhe Frashër Krasniqi që tha se nuk është në tërësi kundër ligjit, por vetëm pjesën që kishën ortodokse në Kosovë e konsideron serbe.