Minxhozi s`komenton Vendimin e KK të Prishtinës

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi nuk ka dashur të komentoj për vendimin e asamblesë komunale të Prishtinës e cila të martën në mbledhjen e Kuvendit Komunal, nuk arriti të vendos për ndarjen e pronës së paluajtshme për ambasadën.

“Nuk do të komentoj, nuk kam ndonjë koment të veçantë dhe ndoshta më kuptoni”, tha Minxhozi për KALLXO.com.

Diskutimi për ndarjen e pronës për Ambasadën e Shqipërisë solli përplasje mes asamblistëve të LDK-së dhe atyre të Vetëvendosjes, ndërsa pas saj, kjo pikë, me shumicë votash u heq nga rendi i ditës i mbledhjes së Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Asamblisti i LDK-së, Agim Gashi tha se nuk janë kundër ndarjes së kësaj prone për Ambasadën e Shqipërisë.

“U krijua përshtypja se ne jemi kundër, nuk jemi kundër, por jemi që të respektohet ligji”, ka thënë asamblisti Gashi.

Ai kërkoi që për vendimin e ndarjes së parcelës për Ambasadën e Shqipërisë të kërkohet interpretim Ligjor nga Ministria përkatëse dhe pastaj të vazhdohet tutje.

Kërkesën e tij, e refuzoi i pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti duke u arsyetuar se për këtë çështje nuk ka nevojë të pyetet ministria.

“Nuk ka nevojë me pyet  Ministrinë e Pushtetin Lokal për tokën e cila është dhënë në shfrytëzim për ndërtimin e Ambasadës së Shqipërisë”, ka deklaruar Ahmeti.

E më e ashpër u shpreh Mirlinda Sopa, asamblistë e AKR-së e cila veprimet e Kuvendit Komunal për pronën e ambasadës i quajti të turpshme.

“ Është turp që Kuvendi Komunal nuk i bën zgjidhje Ambasadës së Shqipërisë”, tha Sopa.