Minxhozi: Kosova Duhet të Njohë Diplomat e Shqipërisë

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë në një ligjëratë para studentëve të ISPE-së foli për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri.

Ai kërkoi që Kosova të njohë diplomat që lëshojnë universitetet e Shqipërisë

“Në fushën e arsimit ky është një hendikep i madh, por besoj që kemi gjetur mirëkuptimin e palës kosovare që ashtu siç njihen diplomat e Kosovës në Shqipëri duhet të njihen edhe diplomat e Shqipërisë në Kosovë,”  tha Minxhozi.

Ai gjithashtu foli edhe për proceset aktuale nëpër të cilat po kalojnë dy vendet dhe rajoni.

Pastaj tregoi se bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë është rritur këtë vit.

“Rritja ekonomike ose rritja e volumit të shkëmbimeve të mallrave midis Kosovës dhe Shqipërisë për vitin 2015 ka pasur një rritje në masën 15% ,“ tha Minxhozi.

Minxhozi në ligjëratë përmendi edhe mbledhjen e përbashkët të qeverive të dy shteteve të mbajtur në Tiranë gjatë marsit, duke thënë se shumica e marrëveshjeve të nënshkruara kanë gjetur zbatim.

Më 23 mars 2015 në takimin mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës u nënshkruan 11 marrëveshje, mes tyre edhe për bashkëpunim ndërkufitar, bujqësor dhe në fushën e sigurisë.

Minxhozi tha se duhet të krijohet një treg i përbashkët pasi ekonomitë e Kosovës dhe Shqipërisë kështu mund të jenë më atraktivepër investitorët.

Dy qeveritë qenë takuar edhe në Prizren në janar të vitit që shkoi.