Ministrja e MMPH, Albena Reshitaj, në një mbledhje të Qeverisë - Foto: Facebook

Ministrja Reshitaj Anulon Aktivitetin e Kontratës 1.5-Milionëshe

Një muaj pas marrjes së detyrës si ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj ka marrë vendim të anulojë aktivitetin e prokurimit të kontratës në vlerë prej 1.5 milion euro, e cila ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve inxhinierike e profesionale për nevojat e MMPH-së”.

KALLXO.com ka siguruar këtë vendim i cili është bazuar në Ligjin për Prokurim Publik, Ligjin për Administratën Shtetërore dhe Rregulloren për fushat dhe përgjegjësitë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive.

“Anulohet aktiviteti i prokurimit “Ofrimi i shërbimeve inxhinierike, profesionale për nevojat e Ministrisë dhe Planifikimit Hapësinor”. Ky vendim nxirret duke u bazuar në kompetencat e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të përcaktuar në legjislacion dhe të referuar edhe në preambulën e këtij vendimi, bazuar në regjistrimin e nevojave dhe kapaciteti humane dhe përkatëse që  ka Ministria e Mjedisit dhe  Planifikimit Hapësinor për kryerjen e punës që përcakton edhe në aktivitetin e prokurimit sipas pikës 8 të këtij vendimi”, thuhet në vendimin e marrë nga ministrja Reshitaj, e cila mban numrin e protokollit 5255/17.

Në të njëjtin vendim thuhet se mjetet financiare që ishin përcaktuar për këtë kontratë për periudhën e ardhshme 3-vjeçare do t’i kthehen buxhetit të Kosovës.

“Mjetet financiare të përcaktuara për këtë shërbim pas konsultimit me Qeverinë, përkatësisht Ministrinë e Financave do të ridestinohen në shërbime tjera që janë në përgjegjësi dhe brenda fushëveprimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në vendim.

Arsyeja e anulimit të këtij aktiviteti sipas vendimit është se kjo Ministri ka staf të mjaftueshëm, inxhinierë dhe arkitektë, të cilët janë të aftë për të kryer këtë punë.

Po ashtu, në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se MMPH ka për qëllim të realizojë një marrëveshje me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, konkretisht me Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës për të angazhuar në punë studentë të cilët kanë përfunduar këtë drejtim, ku më pas do të shqyrtojnë mundësinë edhe për shpërblim.