Hilmi Jashari

Ministritë nuk e komentojnë raportin e Avokatit të Popullit për 6 shtetasit turq

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në një intervistë në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, kishte thënë se rasti i 6 shtetasve turq nuk është dëbim por ekstradim.

Avokati i Popullit ka publikuar dhe drejtuar në institucione raportin me rekomandime në lidhje me “arrestimin dhe largimin me forcë të gjashtë shtetasve turq nga territori i Republikës së Kosovës”.

Jashari kishte thënë se sipas vlerësimeve të raportit janë bërë një varg shkeljesh.

Sipas Avokatit është shkelur neni 53 i Kushtetutës së Kosovës, është shkelur neni 5 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe ligjet vendore që flasin për të huajt.

“Nuk janë respektuar asnjë prej këtyre standardeve… Raporti thotë se ka pasur shkelje të rënda”, tha ai.

Sipas Jasharit, neni 5 i Konventës Europiane nuk mund të zhvlerësohet në asnjë mënyrë.

“Nga momenti i prangosjes deri te arrestimi fillojnë vargu i shkeljeve që janë evidentuar në këtë proces dhe të cilat janë shkelje të rënda”, theksoi Jashari.

“Gjatë analizës sonë të kësaj situate del se nuk është dëbim por është ekstradim”, ka shtuar Jashari duke thënë se këto dy koncepte juridike dallojnë dukshëm.

Sipas tij e para ka të bëjë me situatën kur në mënyrë normale shoqërohen nga autoritetet e rendit, pyetet se deri në cilën pikë kufitare dëshiron të përcillet, përcillet atje dhe personi është i lirë të shkojë kah do që e sheh të arsyeshme. Në rrethana normale sipas Jasharit nuk guxojnë të vendosin pranga “veç nëse ekziston rrezik që ai person mund të paraqet rrezik apo sulm ndaj personit zyrtar por këto rrethana nuk kanë ekzistuar sepse ata fillimisht janë arrestuar dhe prangosur”.

“Këtu kemi të bëjmë me ekstradim klasik ku personat janë arrestuar në mënyrën më brutale të mundshme, pa asnjë rregull, pa asnjë mundësi ankese dhe drejtpërdrejt qëllimi ka qenë t’u dorëzohen autoriteteve të huaja e në fakt këtu është shpërfillje e madhe e procesit”, tha Jashari.

KALLXO.com, ka kontaktuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë për të parë se cilat janë komentet e tyre lidhur me deklaratën e Avokatit të Popullit, mirëpo asnjëra ministri nuk ka qenë e gatshme për përgjigje.

Edhe Policia e Kosovës nuk ka komentuar rreth këtyre deklaratave.

Baki Kelani, tha se Policia nuk ka të drejtë të komentojë deklarata të askujt.

Kurse, Inspektorati Policor i Kosovës, ka thënë për KALLXO.com, se sa i përket rastit të gjashtë shtetasve turq, IPK ka autorizuar një inspektim të jashtëzakonshëm për të vlerësuar veprimet e zyrtarëve policorë në lidhje me këtë rast.

“Ky inspektim akoma nuk ka përfunduar dhe zyrtarët e IPK-së nga Departamenti i Inspektimeve janë në proces të këtij inspektimi”, ka thënë Arbër Beka.

Sipas tij, hetuesit e IPK-së lidhur me këtë rast janë duke zhvilluar hetim konform autorizimit të lëshuar nga Prokuroria kompetente.​

Ky raport u është dorëzuar Bejtush Gashit, ministër i Punëve të Brendshme dhe Abelard Tahirit, ministër i Drejtësisë. Kurse, kopje për presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, për kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe për Duda Baljen, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

KALLXO.com ka shkruar se  gjatë muajit prill Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka pranuar 27 kërkesa për azil politik nga shtetas të Turqisë.

Numri i përgjithshëm i aplikacioneve për azil gjatë muajit të kaluar ka qenë 31.