Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Ministrisë i mungojnë dëshmitë për sasinë e mishit që konsumuan

 

Në një raport prej 31 faqesh janë përshkruar të gjeturat dhe problemet që Zyra Kombëtare e Auditimit i ka hasur gjatë auditimit të Ministrisë së Drejtësisë.

Aty janë hasur probleme në menaxhimin e kontratave e po ashtu në kryerjen e pagesave veçanërisht atyre të Shërbimit Korrektues.

Auditori ka gjetur se Shërbimi Korrektues nuk ka regjistër se sa mish ka pranuar nga furnizuesi mish ky i cili u dedikohej të burgosurve.

Tenderi për mishin siç konstaton auditori ishte shpallur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit ndërsa menaxhimi dhe pranimi i mallit duhej të kryhej nga ShKK

Probleme të tjera janë hasur edhe në kontratën prej 23 mijë e 690euro për Furnizim me pajisje për laboratorin e histopatologjisë.

Kjo kontratë sipas auditorit është menaxhuar nga personi që ka qenë pjesë e vlerësimit gjë që është në kundërshtim me rregullat ligjore.

Një gjetje tjetër e Zyrës Kombëtare të Auditimit është edhe pagesa e disa faturave në një urdhër pagesë të vetme.

Sipas ZKA-së, është gjetur se Shërbimi Korrektues i Kosovës i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë në tri raste kanë paguar deri në 12 fatura me një urdhërpagesë.

“Sistemi i pagesave (SIMFK) kërkon që në çdo urdhërpagesë të shënohet numri i faturës. Po ashtu, sistemi është i dizajnuar që vetëm një faturë të evidentohet në një urdhërpagesë. Kjo ka ndodhur në kuadër të SHKK-së, me arsyetimin se kanë shumë punë dhe kjo për ta thjeshtuar procesin e pagesave”, thuhet në raport.

Rreziku i pagesave të shumta me një urdhërpagesë sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit nuk është praktikë e mirë dhe për më tepër e rrit rrezikun që fatura të paguhet dy herë, pasiqë në sistem të thesarit nuk ka mundësi të verifikohet se cilat fatura janë paguar më shumë se një herë.

ZKA ka rekomanduar Ministrin e Drejtësisë që të forcoj disiplinën financiare të personave përgjegjës dhe të siguroj që me një urdhërpagesë të paguhet vetëm një faturë, në mënyrë që të ketë kontroll të plotë dhe informata të sakta mbi pagesën e faturave.

Në raportin e ZKA-së thuhet se Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kryer 19 pagesa vlera e përbashkët e të cilave është 321 mijë e 54 euro për të cilat njëherë është pranuar fatura e pastaj ishte bërë zotimi i mjeteve dhe urdhër blerja.

ZKA thotë se rregulla financiare përcakton që fillimisht duhet të bëhet kërkesa për blerje, zotimi i mjeteve, procedohet urdhër-blerja, pastaj të pranohet malli apo shërbimi, dhe pas pranimit të faturës të ekzekutohet pagesa.

“Sipas deklarimeve të zyrtarëve të SHKK-së, kjo ka ndodhur për shkak se gjatë vitit 2018 ishin përballur me vështirësi të alokimit të mjeteve me kohë, dhe me probleme në sistemin e thesarit për të realizuar pagesat”, thuhet në raport.

ZKA ka gjetur edhe se në fund të vitit 2018, komisionet e inventarizimit në Ministri të Drejtësisë dhe në agjencitë e saj kanë realizuar një proces cilësor të inventarizimit të pasurive, me ç’rast janë identifikuar pasuri të cilat nuk figuronin në regjistrat e sistemit e-pasuria, pastaj një numër të konsiderueshëm të aseteve që nuk kanë barkode, si dhe pasuri të dëmtuara në hapësirat e ministrisë që nuk dihet se kush është i ngarkuar me to.

“Në SHKK komisioni kishte identifikuar 1262 njësi të pasurisë dhe inventarit që janë jashtë përdorimit dhe të cilat figurojnë ende në regjistrat e pasurive të SHKK-së. Megjithatë raportet e inventarizimit nuk janë harmonizuar/krahasuar me regjistrin e përgjithshëm të pasurisë, dhe me regjistrin nga e-pasuria, për të verifikuar saktësinë e informatave rreth pasurive. Kjo ka ndodhur pjesërisht për shkak të mos funksionimit adekuat të sistemit epasuria, pasi që MD ka pasur vështirësi të vazhdueshme në lidhje me ketë, sidomos tek SHKK-ja, si dhe pjesërisht për shkak të mos funksionimit adekuat të kontrolleve të brendshme të organizatës në ketë fushë”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj ka thënë se Ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk kanë paguar 33 fatura brenda afatit ligjor.

Sipas Rregullës Financiare Shpenzimi i Parave Publike, të gjitha faturat që i pranon organizata buxhetore, duhet të paguhen brenda 30 ditëve, nëse nuk është paraparë ndryshe me kontratë.

14 faturat e Ministrisë së Drejtësisë, vlera e të cilave ishte 187 mijë e 54 euro dhe 19 faturat e SHKK-së vlera e të cilave ishte 308 mijë e 922 euro janë paguar pas afatit të paraparë ligjor prej 30 ditësh.

Madje Zyra Kombëtare e Auditimit ka thënë se kjo çështje është përsëritur nga vitet paraprake, dhe ka ndodhur për shkaqe të ndryshme, përfshirë mungesën e mjeteve sidomos tek SHKK-ja e cila në vazhdimësi edhe viteve të kaluara kishte pasur mungesë të mjeteve dhe vështirësi tjera në realizimin e pagesave brenda afatit ligjor.

“Mos kryerja e obligimeve sipas afateve të parapara me rregulloren e thesarit rritë rrezikun që borxhet të rriten si dhe mundësinë e padive gjyqësore ndaj ministrisë”, thotë ZKA.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka treguar se kanë vlerësuar rekomandimet e NjAB dhe zbatimin e tyre. Në raport thuhet se rekomandimet ishin zbatuar pjesërisht.

“Ketë e konfirmon edhe Raporti vjetor i NjAB i dërguar në Njësinë Qendrore Harmonizuese të Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Financave. Në këtë raport potencohet se nga gjithsej 19 rekomandime të dhëna, pesë (5) ishin zbatuar, 10 ishin në proces të zbatimit dhe katër (4) nuk ishin zbatuar fare”, thotë raporti i auditorit kombëtar.