Përurimi i sistemit elektronik të OJQ-ve | Foto: KALLXO.com

Ministria me Sistem Elektronik të OJQ-ve

Sistemi Elektronik i Organizatave Joqeveritare (SEOJQ) u bë funksional sot në Departamentin e OJQ-ve të Ministrisë së Administratës Publike.

Departamenti i OJQ-ve ka për detyrë të regjistrojë organizatat joqeveritare, ndërsa qëllimi i sistemit elektronik të përuruar sot lidhet me lehtësimin e procedurave të regjistrimit të organizatave joqeveritare.

Ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar tha se me këtë projekt po modernizohet administrata.

“Ministria e Administratës Publike, përmes këtij projekti po bën avancimin e procesit të modernizimit të administratës, i cili projekt ka ndikim të drejtpërdrejtë në ofrimin më efikas të shërbimeve për të gjithë qytetarët,” tha ministri Yagcilar.

Ndërsa, drejtori i Departamentit për OJQ-të, Bajram Kosumi, tha se ky sistem ofron shërbime më të mira dhe më të lira.

“Qëllimi kryesor i projektit të sistemit elektronik të OJQ-ve, konsiston në ofrimin e shërbimeve më efikase dhe më efiçiente për qytetarët,” tha Kosumi.

Në ceremoninë e certifikimit të sistemit elektronik të OJQ-ve u certifikua dhe u fut në sistem organizata joqeveritare “Unë Kujdesem” (UK).

Në sistemin e ri të organizatave joqeveritare do të barten edhe të dhënat nga sistemi i mëparshëm i Departamentit të OJQ-ve në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Në këtë departament deri tash janë të regjistruara 9109 organizata, 8591 vendase dhe 518 ndërkombëtare.

Raporti i Progresit 2016, i publikuar në nëntor të vitit të kaluar konsideron se reforma e administratës publike është vonuar.

http://kallxo.com/raporti-progresit-sheh-vendnumerim-te-kosoves/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri