Foto: Ilustrim

Ministria Reagon për Gabimin me Kompaninë Ajrore

Ministria e  Infrastrukturës ka reaguar në lidhje me lajmet e publikuara për hyrjen në tregun e Kosovës të kompanisë ajrore ““Easy Jet Airlines”.

“Ministria e Infrastrukturës nuk “ia huq” siç është spekuluar në lidhje me kompaninë “Easy Jet Airlines”, por e ka njoftuar publikun se aktualisht operon Avio Kompania “Easy Jet” e regjistruar dhe e licencuar në Zvicër, ndërsa, prej të dielës, më 27 mars 2016, fillon me fluturime Avio Kompania “Easy Jet” e regjistruar dhe e licencuar në Mbretërinë e Bashkuar, siç ju kemi njoftuar paraprakisht. Pra, kemi të bëjmë me dy Avio Kompani”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Avdi Kamerolli, Drejtor i Departamentit të Aviacionit Civil në Ministrinë e Infrastrukturës.

Në komunikatën e parë të dërguar nga Ministria nuk ishte sqaruar se në Kosovë operon një kompani e tillë me dy drejtime, dhe se tani do të i shtohet edhe drejtimi nga Anglia.

Në atë komunikatë thuhej vetëm se “kompanisë “Easy Jet Airlines”, i është mundësuar hyrja në tregun e Kosovës, me ç’rast do t’i shfrytëzoj të drejtat e trafikut. Kjo kompani ka orar të fluturimit nga data 27 e këtij muaji”.

Ndërsa ishte thënë se  hyrja e një kompanie ajrore nga Anglia në tregun kosovar “është e një rëndësie të posaçme”.

http://kallxo.com/ministria-e-infrastruktures-e-informuar-gabimisht-per-aviokompanine-e-lire/

KALLXO.com, ka kontaktuar edhe zëdhënësen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara, e cila ka thënë se më herët kompania “Easy Jet”, operon në tregun e Kosovës që nga viti 2010.

“Easy Jet”, dega në Zvicër, është duke operuar me 6 fluturime për Basel dhe me 4 fluturime për Gjenevë”, ndërsa ka konfirmuar se linja për Angli, do të lëshohet të dielën me 27 mars.

Me këtë kompani ajrore, nga Prishtina mund të udhëtosh në drejtim të Berlinit, Basel dhe në Gjenevë, ndërsa tani i është shtuar vetëm edhe drejtimi i Anglisë, “Easy Jet”, dega në Angli.

Kjo kompani ajrore operon edhe në shumë vende të botës me fluturime të rregullta.