Tryezës “Perspektiva gjinore në tekstet shkollore" - Foto: KALLXO.com
Ministria Nuk Heq nga Tekstet Shkollore Përmbajtjen Diskriminuese
Pavarësisht rekomandimeve, Ministria e Arsimit e Kosovës nuk ka ndërmarrë veprime për largimin e përmbajtjes diskriminuese ndaj grave, personave LGBTI+ dhe komuniteteve joshumicë në tekstet shkollore.
Dukuria përdorimit të gjuhës diskriminuese, sipas panelistëve të tryezës “Perspektiva gjinore në tekstet shkollore”, është shumë e përhapur.
Marigona Shabiu, nga Iniciativa Rinore për të Drejta të Njeriut, YIHR, tha se ka shumë gjuhë diskriminuese në tekstet shkollore të shkollave të mesme.
Duke folur për hulumtimin e organizatës së saj, ajo u shpreh se gjetjet janë shqetësuese dhe shtoi se janë mbi 100 formulime me gjuhë diskriminuese brenda këtyre teksteve.
Ajo tregoi se librat e lëndëve të ndryshme diskriminojnë në bazë të gjinisë, seksualitetit apo kombësisë.
“Për shembull në librat e Historisë është gjetur gjuhë diskriminuese në bazë të etnisë. Në librin e Biologjisë ka dominuar gjuha diskriminuese gjinore. Në Edukatë Qytetare, në mesin e shumë për gjininë dhe orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Ndërsa, në Psikologji dhe Sociologji kanë dominuar formulimet diskriminuese gjinore”, tha Shabiu.
Ndërkaq, Agim Margilaj, nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, CSGD, tha se gjithçka që është kundër grave apo barazisë gjinore e afekton edhe komunitetin LGBTI.
Margilaj deklaroi se diskriminimi i cili i shtohet formave të tjera shkakton probleme serioze.
“Duhet theksuar se shumë persona të komunitetit, të rinjtë sidomos, kanë tendenca vetëvrasëse për shkak të këtyre paragjykimeve që i gjejnë edhe në tekstet shkollore”, tha ai.
Ky i fundit tregoi se nuk janë marrë parasysh aspak propozimet për ndryshime të teksteve.
“Kemi tentuar disa herë të ndërhyjmë në procedurën e ndryshimit të teksteve shkollore në Ministrinë e Arsimit, ku kemi qenë dëshmitar se Komisioni për ndryshimin e teksteve shkollore është shumë vështirë i depërtueshëm, kemi të bëjmë me miliona”, tha Margliaj, duke hedhur dyshim për korrupsion në këtë institucion.
Në këtë tryezë mori pjesë edhe Sibel Halimi nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim.
Duke iu referuar një artikulli të KALLXO.com, Sibel Halimi tha se shpesh shoqëria ka standard të dyfishtë për trupin e grave duke thënë se trupi i gruas shpesh shihet si objekt seksual ose objekt riprodhues.
“Fatkeqësia më e madhe është që ne për një dekadë të tërë po diskutojmë gjatë të gjithë kohës për një çështje të tillë dhe prapë qëndrojmë një situatë të njëjtë”, tha Halimi.
Libri Shkollor: ‘Pse Femrat që Zbulojnë Belin Rrezikojnë të Mbeten Sterile?’
Kjo e fundit e theksoi se diskriminimi gjinor brenda librave dhe ndryshimi i tyre vjen për shkak të personave që i udhëheqin institucionet.