Memorandmi i bashkëpunimit | Foto: Minisria e Sportit
Ministria mbështet garën e boksieres në Indi
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të japë 12 mijë e 300 euro për përgatitjet e boksieres Donjeta Sadiku për Kampionatin Botëror të Boksit që do të zhvillohet në Nju Delhi të Indisë.
Për këtë qëllim, sipas një komunikate të lëshuar nga MKRS-ja, është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi mes ministrit Kujtim Gashi dhe sportistes Donjeta Sadiku.
“Ministri Gashi tha se angazhimi i tij për të mbështetur sportistët nuk do të ndalet dhe se kjo bëhet me qëllim të përkrahjes së talenteve të rinj të cilët me punën e tyre të suksesshme, po arrijnë që të përfaqësojnë Republikën e Kosovës në mënyrë të denjë nëpër kampionate të ndryshme ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.
Komunikata sqaron se boksierja Sadiku deklaroi se do të punojë maksimalishtqë nga Kampionati Botëror në Nju Delhi-Indi, të kthehet me medalje.
Për shkak të mosnjohjes së Kosovës pikërisht nga India, Donjeta Sadikut nuk i ishte lejuar pjesëmarrja në një kampionat tjetër botëror të organizuar në këtë shtet, por Komiteti Olimpik Ndërkombëtar pritet që në të ardhmen të dënojë shtetet që diskriminojnë sportistët e shteteve tjera.