Mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Foto: KALLXO.com

Ministria e Shëndetësisë ende pa listë esenciale të barnave

Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale gjatë një takimi me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, kërkuan llogari për gjendjen në të cilën gjendet sistemi shëndetësor në Kosovë, duke filluar nga lista e barnave esenciale, deri tek keqmenaxhimi i insulinave.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se lista e barnave esenciale të vitit 2012-të ka qenë e paverifikuar, se 70 për qind e barnave esenciale nuk kanë pasur kontrata, si dhe janë blerë më shtrenjtë, prandaj edhe procesi i verifkimit po e vonon krijimin e kësaj liste.

“Kemi pasur një listë esenciale që nga viti 2012 e cila anjëherë nuk është verifikuar dhe nuk kemi pasur mundësi të fillojmë një projekt kaq të rëndësishëm pa e pasur një konfirmim të një organizate si OBSH-ja. Zakonisht vlerja e barnave ka qenë në një buxhet historik, I cili ka thënë kaq janë barnat që I kemi dhe bëni zgjidhje. Në dhjetor të vitit 2017 analiza ka treguar se 70 përqind të barnave esenciale nuk kanë pasur kontrata. Barnat janë blerë më shtrenjtë se sa në barnatore. për këtë arsye kam hasur në vështirësi për të arritur deri te metoda më e mire.”, tha Ismaili.

Ai më tej tha se që nga shtatori i këtij viti në Kosovë do të vijnë ekspertë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që të trajnojnë mjekët për barna.

Shëndetësia nuk po arrin të rimëkëmbet për shkak të reputacionit, tha ministri.

“Nuk kam arsye të fortë me tregu pse nuk është bërë revidentimi i listës esenciale. Në shtator do të dergojnë tre ekspertë që do të bëjnë tre punishte sepse mjekët kanë nevojë për një udhëzime të fundit nga OBSH per barnat të cilat u jepen pacientëve tanë. OBSH-ja na e ka dhënë një mbeshtetje për barnat që kemi dyshime ato do t’i mbledhim dhe t’i dërgojnë në OBSH për të revidentu atë produkt dhe kjo na jep një siguri më të madhe sepse sektori po vuan për shkak të mungesës së reputacionit”, deklaroi ai.

Sipas Ismailit, Banka Botërore ka dhënë 1.2 milionë dollarë për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, si dhe 300 mijë të tjera për trajnimin e punëtorëve për këtë fond i cili pritet të funksionalizohet në fund të vitit 2019-të.

“Nga Banka Botërore kemi marrë 1.2 milionë dollarë dhe do të organizohet Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i cili do të komunikojë me klinika shëndetërore. Kemi arritur të marrim edhe 300 mijë dollarë për projektin e binjakëzimit ku do të trajnohen në vend të punës punëtorë që tashmë janë duke punuar dhe do t’i ushtrojnë se si duhet bërë përgaditjet për fondin shëndetësorë. Në fund të vitit 2019 do të kemi një funksionalizim të këtij fondi.”, shtoi ministri.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu tha se pavarësisht kohës që ka kërkuar ministri për krijimin e listës së barnave esenciale ai nuk e ka respektuar afatin e kërkuar nga vetë ai.

Ajo thotë se edhe materiali shpenzues po vazhdon të jetë njëra ndër problemet në të cilat po hasin spitalet.

“Për furnizimin me barna nga lista esenciale keni kërkuar kohë në mënyrë që deri në fund të qershorit të bëhet përmirësimi dhe në të gjitha spitalet do të bëhet furnizmi me barna mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur sepse ende mungojnë barna nga lista esenciale dhe mungon materiali shpenzues. Është e pjustifikueshne një vonesë kaq e madhe sa I përket përfundimit të listës. Si dhe vonesat në procedimin e projektligjeve. Në plan të punës I keni pasur që t’I shqyrtojmë dy projektligje, projektligjin për shëndetësi dhe për sigurime shëndetësore, por këto dy dokumente nuk kanë ardhur prandaj kërkojmë nga ju që t’na jepni sqarime.”, tha Baftiu.

Enver Hoti, anëtar i këtij komisioni dhe deputet nga radhët e NISMA-s, tha se në sistemin shëndetësor po ka keqmenaxhime të ndryshme, prandaj edhe kërkoi nga ministri që këta individë të vihen para drejtësisë.

Shqetësuese për këtë deputet është edhe ikja nga Kosova e kuadrit shëndetësor sepse sipas tij e ardhmja do të na zë ngushtë.

“Përveç mungesës së përvojës ka edhe keqmenaxhime të ndryshme. Stabilizimi i listës së barnave esenciale është detyrë e juaja. Kur mbi 70 përqind e barnave janë pa kontratë është shqetësuese dhe duam të dimë se çfarë ka ndodhur me ata njerëz,  nëse s’ka reagim institucional është shumë shqetësuese. Kemi informacione që edhe nëpër deponi të spitaleve gjendja është katastrofë, dhe po ankohen punonjësit që nuk po munden të punojnë në mënyrë të rregullt, si dhe ikja e personelit dhe kuadrit shëndetësor, vendi po zbrazet në këtë aspekt dhe ne kemi nevojë për ata njerëz dhe nuk e di se çka na pret neve në këtë drejtim.”, tha Hoti.

Ndërkaq, Haxhi Avdyli, si anëtar i komisionit për shëndetësi, njëherësh edhe deputet i LDK-së, tha se ministri i Shëndetësisë nuk po merret me reforma shëndetësore të cilat do t’i zgjidhnin problemet.

“Ju po merreni vetëm me zgjidhje të çështjeve energjente që po dalin nëpër spitale, si mungesa e barnave, dështimeve, përgjegjësisë e rasteve tjera. Por nuk po shohim një reformë shëndetësore e cila do të duhej të kishte filluar para jush dhe të vazhdonte përtej jush dhe kështu do të zgjidheshin të gjitha problemet , por mendimi im është se hapi i parë i reformës fillon nga sistemi i informinit shëndetësor dhe ky hap si duket po shkon drejt kthimit në pikën zero.”, deklaroi Avdyli.

Deputetja e Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj theksoi se kaosi në shëndetësinë kosovare nuk është si pasojë e ligjit për shëndetësinë, por se vëmendja po u jepet rasteve të rënda duke i anashkaluar ato më të lehta.

Ajo propozoi që të bëhet distribuimi i barnave mes institucioneve ku ka mungesë në mënyrë që të mos skadohen pa u përdorur.

“Problematika e shëndetësisë nuk mendoj që është e kufizuar vetëm në një ligj. Duke u koncentruar në poltika të larta po harrojmë që pacientë ka edhe në nivelin primar dhe sekondar dhe ndoshta po I anashkalojmë. Në distribuimin e barnave duhet të ketë një barabarësi në të gjitha nivelet sepse pavarësisht se në cilin nivel shkon ai është pacient. Duhet të ketë një kontrollë të barnave apo barnatoreve në mënyrë që të mos lejohet skadenca e barnave dhe ato barna distribuohen aty ku nuk ka.”, tha Kadrijaj.

Për deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiun, shëndetësia nuk ka qenë asnjëherë në gjendje më të keqe sepse keqpërdorimet vetëm sa po vazhdojnë të rriten.

Ai pyeti ministrin për numrin e njësive të insulinës që është blerë për këtë vit, numër ky i cili tejkalon numrin e sasisë së blerë për vitin e kaluar, andaj edhe aludoi se brenda ministrisë dikush po bën biznes me insulina.

“Mungesa e barnave esenciale të listës revindente është shumë shqetësuese dhe kurrë më keq s’ka qenë, pra mund të themi se për këto probeme nota është negative. Kemi besuar që do të ndalen keqpërdorimet dhe rasti i fundit me vjedhjen e insulinës ku kanë raportuar dy enkrologë se insulina ka përmbajtur vetëm dy nga gjashtë përbërësit e insulinës humane dhe si pasojë e kësaj shumë pacientëve iu është dëmtuar shëndeti. Prandaj a ka pasur ndonjë reagim nga Ministria e Shëndetësisë? Apo është mbuluar me biznes të ri? Sepse vitin e kalum janë blerë 177 mijë e 50 njësi insulinë, ndërsa, këtë vit janë 554 mijë e 932 njësi. A është shtuar numri i pacienëve me insulinë apo dikush brenda ministrisë e ka një biznes e që ju s’po mundeni me e kuptu?”, tha Haxhiu.

Deputeti Haxhiu gjithashtu këshilloi ministrin që të udhëzoj klinkat për krijimin e protokolleve në mënyrë që të arrijnë më shpejtë tek lista e barnave esenciale.

Përveç kësaj, ai kërkoi llogari nga ministri edhe për barnat që importohen nga vendet të cilat nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

“Udhëzoi klinikat me i bo protokollet dhe kështu të del lista për evidentimin e barnave dhe kështu nuk do të ketë manipulime, as interesa grupore, as biznesore. Ndërkohë, barnat nga Kina, India dhe shtetet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, me të cilat nuk kemi marrëveshje shtetërore si po arrijnë të futen në treg dhe kush ka besueshmëri për këto barna që po futen në treg.”, shtoi ai.

E për këtë çështje, ministri Uran Ismaili, tha se sistemi shëndetësor është degraduar nga individë për qëllime profitabile dhe jo nga mosdija. Ai tregoi që furnizimi me barna është ndërprerë për shkak të tejkalimit të sasive.

Gjithashtu, ministri theksoi se duhet krijuar një pagë dinjitoze për specializantët në mënyrë që të mos largohen nga vendi në kërkim të një pune.

“Kur jemi tek puna e keqmenaxhimit të barnave, barnat janë ndalë sepse kanë qenë të tejkalura sasitë për kontratat në të cilat janë bërë. Sistemi është gërryer për qëllime profitabile e jo pse nuk kanë ditë me bo punën e vet. E kanë gërryer duke krijuar kriza. Auditori e ka tregu një gjendje shumë të keqe. Në objekte shëndetësore ka ende teke të njerëzve”, tha Ismaili.

Ministri Ismaili deklaroi se ka krijuar një pako për specialistat që të kenë një pagesë për punën që po e bëjnë në mënyrë që të mos largohen nga vendi dhe të ndjehen pjesë e sistemit.  

!Sistemi shëndetësor ka qenë i padrejtë me specializantat kështu që ata kanë planifikuar herët, kanë shkuar në kurse të gjuhës. Duhet me kriju një pagë të dinjitetshme për ta sepse pagesa është shumë larg punës që bëjnë”, përfundoi ai.