Ministria e Mjedisit pranon donacion në vlerë prej 4 milionë dollarësh nga Japonia

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka pranuar një donacion nga Qeveria Japoneze, në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Republikën e Kosovës”, ka njoftuar kjo ministri përmes një komunikate për media.

Projekti, sipas noftimit, kap vlerën e përgjitshme prej 4 milionë dollarësh dhe donacioni është ndarë për Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës nga këshilltari i ambasadorit të Japonisë në Vjenë, Daisuke  Sugihara, këshilltari i JICA-së, Makino Takahiko.

“Ky projekt, përveç studimit mbi burimet e ndotjes së ajrit dhe ngritjes së kapaciteteve humane, po kontribuon edhe me instrumente matëse për matje të emisioneve, me të gjitha pajisjet përcjellëse dhe shumë pajisje tjera të nevojshme, për të krijuar një sistem të qëndrueshëm për menaxhimin e cilësisë së ajrit”, citohet të ketë thënë ministri Matoshi.

“Qeveria Japoneze po mbështet Kosovën  edhe me një grant prej mbi 2 milion euro me pajisje për transportin e mbeturinave  që do të ndihmoje në krijimin e një sistemi të qëndrueshme për menaxhimin  e integruar të mbeturinave”, ka deklaruar tutje ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë.

Në anën tjetër, këshilltari i ambasadorit të Japonisë në Vjenë, Daisuke  Sugihara ka njoftuar se Qeveria e shtetit të Japonisë së shpejti do ta hapë edhe Ambasadën në Kosovë.

“Qeveria Japoneze ka vendosur që të hap ambasadën tonë në Prishtinë. Këtë vit është 10 vjetori i lidhjes së marrëdhënieve tona diplomatike mes Japonisë dhe Kosovës dhe ne  dëshirojmë të thellojmë bashkëpunimin tonë”, tha Sugihara.

Sipas tij, shteti i Japonisë do të ofrojë mbështetje për Kosovën edhe në fushën e mjedisit, konkretisht në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Pas konferencës së përbashkët për media, ministri Matoshi së bashku me përfaqësuesit e Qeverisë Japoneze kanë vizituar Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës ku është bërë pranim-dorëzimi i 100 pajisjeve teknike për matjen e gazit të shkarkuar dhe matjen e cilësisë së ajrit, thuhet në komunikatë.

Disa prej pajisjeve të dorëzuara janë edhe, Analizeri i gazrave si NOx, SO2, CO, CO2 dhe O2, pastaj pajisje për matjen e lagështisë në gazin shkarkues d.m.th në oxhak, pajisje për matjen e temperaturës për matjen e pluhurit, 6 pompa vakumi, gazmeter të lëngshëm, enë për mostrim për metode referente, sonda te ndryshme për mostrim, ene laboratorike për mostrim dhe të gjitha  kemikatet për mostrim dhe analizim të pluhurit dhe gazrave ne laborator për përcaktimin e merkurit si dhe te anioneve.