Ministrja Albena Reshitaj në Kuvendin e Kosovës - Foto: Atdhe Mulla

Ministria e Mjedisit: Do të gjobiten ata qe djegin goma

Ministria e Mjedisit ka njoftuar qytetarët se  nëse djegin goma për 1 Maj do të gjobiten 100 euro.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj, përveç që ka uruar punëtorët në ditën e tyre, 1 Majit, dhe ka kërkuar avancimin e të drejtave të tyre, ka njoftuar qytetarët që djegia e gomave është e ndaluar me ligj.

“Ndezja e zjarreve dhe në veçanti gomave, për festën e 1 majit, janë veprime që do të ndëshkohen.  Ligji për mbrojtjen e ajrit ndalon rreptësisht djegien e gomave. Po ashtu edhe Udhëzimi Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore ndalon rreptësisht djegien e gomave, gjegjësisht gjoba është 100 euro”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Kjo ministri thotë se ndezja e gomave në mjedis të hapur liron dioksinën dhe materie tjera të rrezikshme që shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore.

“Ndezja e zjarreve të tilla, bartë me vete pasoja të mëdha për mjedisin. Vazhdimi i një praktike të tillë, është e pakuptimtë dhe e dëmshme për mjedisin, shëndetin dhe për imazhin e Republikës së Kosovës”.

Tutje thuhet se ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të mirë.

“Janë shpeshtuar rastet kur nga pakujdesia, nga këto zjarre kanë pësuar më së shumti fëmijët, ose janë djegur edhe sipërfaqe të tëra me pyje”.

Si rrjedhojë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor paralajmëron dënimin e të gjithë atyre që ndezin goma me rastin e kësaj dite, si në çdo ditë tjetër.