Ministria e Mbrojtjes e Serbisë dhe RTS, film për luftën në Koshare
Serbia shënoi 20 vjetorin e fillimit të Betejës së Koshares gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999 duke shfaqur një film dokumentar të financuar nga shteti për nderimin e trupave të saj.
Ministria serbe e mbrojtjes dhe Televizioni publik RTS të martën në mbrëmje shfaqën një film dokumentar rreth Betejës së Koshares të vitit 1999, e cila tregon për atë që krijuesit e tij thanë se ishte “guximi, sakrifica dhe përkushtimi” i ushtarëve të Ushtrisë Jugosllave që luftuan kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “në mbrojtje të atdheut”.
“Për 20 vjet nuk kemi thënë “faleminderit” dhe mendoj se ka ardhur koha të falënderojmë ata njerëz për atë që kanë bërë,” tha Sladjana Zariç, regjisore e filmit të titulluar ‘tregime lufte nga Koshare”.
Në premierë mori pjesë ministri i mbrojtjes Aleksandar Vulin, kreu i Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviç, dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetëror dhe ushtarakë.
Beteja e Koshares filloi më 9 prill 1999, me sulmin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj një pike kufitare midis Serbisë dhe Shqipërisë dhe u luftua deri më 10 qershor, kur u arrit një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, ndërsa forcat e Beogradit u larguan nga Kosova .
Ministria serbe e mbrojtjes tha në një njoftim për shtyp se 108 anëtarë të asaj që atëherë ishte Ushtria Jugosllave u zhdukën në betejë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, guerrilasit e të cilës u mbështetën nga sulmet ajrore të NATO-s, gjithashtu pësuan shumë humbje.
“Tregime lufte nga Koshare” trajton përplasjet ushtarake në kufirin mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë gjatë vitit 1998 dhe 1999 dhe përfshin dëshmitë e ushtarëve dhe komandantëve ushtarakë serbë, tha njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes.
Filmi u lajmërua fillimisht në janar 2018, kur u zbulua se disa oficerë ushtarakë që kanë mohuar akuzat për krime lufte në Kosovë do të shërbenin si konsulentë për projektin.
Ata do të përfshinin gjeneralin në pension Dragan Zivanoviç, i cili ishte nën hetim për krime lufte nga gushti i vitit 2014. Prokuroria serbe e krimeve të luftës konfirmoi në vitin 2017 se e kishte përfunduar hetimin.
Një tjetër ishte Dusko Sljivancanin, i cili u përmend në një ankesë penale të paraqitur në vitin 2013 nga OJQ-ja Fondi për yë Drejtën Humanitare, si përgjegjës për vrasjen e 21 civilëve shqiptarë në fshatrat Goden dhe Zulfaj më 25 mars 1999.
Megjithatë, zyra e prokurorisë serbe për krimet e luftës refuzoi ankesën penale të FDH-së.
Një tjetër film serb rreth përplasjeve ushtarake të kohës së luftës midis forcave të Beogradit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në malin e Pashtrikut 20 vjet më parë thuhet se do të ketë premierën e tij në maj 2019