Rezidenca e Ibrahim Rugovës në Velani. Foto: Kallxo.com

Ministria e Kulturës nuk tregon nëse do hapet konkurs për 12 punëtorët e Rezidencës Ibrahim Rugova në Velani

Rezidenca Presidenciale Ibrahim Rugova në Velani ka të angazhuar 12 punëtorë me kontratë mbi vepër, ku shtatë prej tyre janë të angazhuar në pozitën e rojës, dy mirëmbajtës, dy ciceronë dhe një zyrtar për protokoll.

E pyetur nga KALLXO.com për punët që kryejnë të angazhuarit në Rezidencën Presidenciale në Velani, MKRS ka potencuar se të angazhuarit dhe mjetet financiare për nëpunësit në Rezidencën Ibrahim Rugova, janë me vendim të Qeverisë.

“Ju njoftojmë se të angazhuarit, si dhe mjetet financiare për nëpunësit në Rezidencën Ibrahim Rugova, janë me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për arsye të rëndësisë historike të kësaj Rezidence”, thuhet në përgjigjen e MKRS, duke bërë të ditur edhe numrin e punëtorëve rezidencial dhe pozitat e tyre.

MKRS nuk është përgjigjur nëse punëtorët e angazhuar në rezidencën Presidenciale Ibrahim Rugova do të përfitojnë kontrata të rregullta të punës, siç ishte kërkuar nga kreu i qeverisë Ramush Haradinaj në fillim të këtij muaji, apo do të ketë konkurs publik për 12 punëtorët e rezidencës.

Në fillim të këtij muaji kreu i qeverisë Ramusha Haradinaj gjatë një mbledhje të qeverisë kishte kërkuar që punëtorët e Rezidencës Ibrahim Rugova në Velani të kalojnë me kontrata të rregullta pune.

Shtëpia e familjes së Ibrahim Rugovës në Velani, e cila kishte shërbyer si zyrë e Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, është shpallur monument i trashëgimisë kulturore dhe vazhdon të jetë shtëpi banimi e familjes se ish- presidentit Rugova.