Ministria e Komuna e Prishtinës në Polemika për Objektet e Sportit dhe Kulturës

Në intervistën për emisionin “Jeta në Kosovë”, Ahmeti fajësoi MKRS-në për mosimplementimin e projektit të ndërtimit të ndërtesës së Operas dhe Baletit të Kosovës, stadiumit si dhe pishinës olimpike.

Duke folur për stadiumin, Ahmeti tha se qeveria e Kosovës e ka marrë përsipër realizimin e renovimit të stadiumit të qytetit të Prishtinës, një projekt i cili po zhagitet dhe si pasojë, po pamundëson që ekipi nacional i Kosovës në futboll, ndeshjet si vendas në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror “Rusia 2018” t’i zhvillojë brenda vendit.

Mes tjerash Ahmeti tha që Ministria e Kulturës nuk i ka të hollat për ndërtimin e stadiumit.

“Qeveria nuk i ka 1 milion për stadium, po m’i lyp mua. Është bllokuar se nuk i kanë as 1 milion euro”, tha Ahmeti.

Kujtim Shala, Ministër i Kulturës e ka dërguar në KALLXO.com buxhetin ku figurojnë të hollat e dedikuara për stadium.

“Aspak nuk është e vërtetë që stadiumi nuk po ndërtohet për shkak të mjeteve sepse mjetet ekzistojnë dhe buxheti i bashkangjitur e dëshmon këtë”,  thotë Shala.

Si dëshmi për këtë Shala dërgoi buxhetin e aprovuar ku shihet që 2 milion euro janë të dedikuara për stadiumin.

Ahmeti foli edhe për ndërtesën e Operas dhe Baletit.

“Te opera “Ibrahim Rugova” u kam thënë që ai lokacion nuk është i mirë. U kam thënë hajde po diskutojmë për qendër, hajde ta bëjmë te “Gërmia”, as nuk e kanë shpronësu”, tha ai.

Kryetari i prishtinës mohoi ta ketë kundërshtuar emërtimin e këtij institucioni kulturor.

“U kam thënë super për emrin ‘Ibrahim Rugova’. Unë me thënë kundër Ibrahim Rugovës? Po ata ëndrra po shohin… Unë publikisht po e them kurrfarë problemi me emrin Ibrahim Rugova nuk kam”, tha ai.

“Pallati ku ka pasë mu ndërtu kushton 25 miliionë euro,. Ata nuk i kanë 25 milionë euro. Unë u kam thënë a i bëjmë krejt paratë që i kemi bashkë edhe ndërtesën e shtëpisë së mallrave “Gërmia” me e kthy në sallë koncertale. Ata kanë mendu. Pas një jave erdhën e thanë: krejt në rregull është veç e kemi një kërkesë. Unë thash ku me ditë çfarë kërkese. E kërkesa e vetme ishte që emrin Ibrahim Rugova me ia lënë. Ata kanë thënë nuk e ke caktu lokacionin. Unë nuk mund ta caktoj lokacionin në ndërtesë që është ndërmarrje shoqërore. U kam thënë shpronësojeni, shpalleni interes nacional. Kur ta shpallni interes nacional, ne pastaj ia caktojmë lokacionin. Tash e kanë shpronësu për ndërtesë të ministrisë, e për sallë (koncertale) nuk mujtën me shpronësu”, shtoi Shpend Ahmeti.

Por KALLXO.com posedon dy letra të cilat Ministri i Kulturës, Kujtim Shala, ia ka dërguar kryetarit të komunës së Prishtinës në të cilat e ngrit çështjen e hapësirës për pishinën olimpike dhe Teatrit të Operas dhe Baletit.

Në letrën e parë, të dërguar më 28 tetor 2015, Shala i kërkon Ahmetit ta informojë atë për “ecurinë e deritanishme të procedurave që bein në përgjegjësinë e komunës së Prishtinës” për këto dy çështje.

Letra e ministrit Kujtim Shala për kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, e datës 28 tetor 2015

Ndërsa në letrën tjetër të dërguar më 7 dhjetor të atij viti, Shala ia rikujton Ahmetit kërkesën e bërë një muaj e gjysmë më parë.

“Meqë deri më tani nuk kam marrë asnjë përgjigje nga ana Juaj, po Ju drejtohem sërish, me bindjen e plotë për gatishmërinë Tuaj për të vijuar bashkëpunimin në dobi të interesave të qytetarëve të Komunës së Prishtinës dhe interesave nacionalë”, thuhet në letër.

Letra e ministrit Kujtim Shala për kryeyarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, e datës 7 dhjetor 2015.

Këtë herë, përveç kërkesës për lokacionet për dy ndërtesat e para, letra përmban kërkesën për caktimin e lokacionit edhe të një objekti të ri; atë të Muzeut të Arteve Bashkëkohore.

“Më lejoni të theksoj se, fillimi i realizimit të këtyre projekteve me rëndësi të jashtëzakonshme, në këtë fazë, varet drejtpërdrejt nga Komuna që e drejtoni Ju”, thuhet në letrën e Ministrit Kujtim Shala.

“Jam i bindur se, me qëllim të realizimit të punëve në dobi të qytetarëve dhe të institucioneve nacionale të Republikës së Kosovës, do të ndërmerrni të gjitha masat e nevojshme që këto çështje të adresohen sa më parë”, thuhet në letër.

Në fund, Shala i tërheq vërejtjen Ahmetit se “çdo vonesë e mëtejme në kryerjen e procedurave nga ana e Komunës, do të krijojë suficit buxhetor të pajustifikueshëm”.

Edhe Faton Peci, këshilltar i Ministrit të Kulturës, reagoi mbrëmë menjëherë ndaj deklaratave të Ahmetit duke thënë se ato janë “për keqardhje”.

“Në përvojën time jetësore, asnjëherë nuk më ka ndodhë të jem dëshmitar i ngjarjeve, dhe për të njëjtat të manipulohet publikisht, pa fije turpi, ashtu siç bëri sonte në emisionin Jeta në Kosovë, Shpend Ahmeti”, tha Faton Peci në një postim në Facebook.

“Ishe ti, Shpend, që shtrove pyetje në takimin e parë, a është problem emri i Teatrit dhe Baletit, Ibrahim Rugova”, tha ai.

Peci akuzoi Ahmetin se komuna nuk ka ofruar lokacion për Muzeun e Historisë së Natyrës përderisa, sipas tij, komuna e Fushë Kosovës ka ofruar zgjidhje për këtë çështje “brenda dy javësh”.

“Shpend, qysh more ti si djalë i ri e i shkolluar demek, e si ekspert thua se MKRS-ja ka hy në projektin e Stadiumit të Prishtinës, e nuk ka mjete, plus deklaroi se Ministria nuk i ka ne dispozicion 1 milion euro. Shikoje Shpend, janë 2 milionë ne dispozicion. Nuk mundesh me nënshkru o Shpend kontratë pa disponueshmerinë e mjeteve”, tha Peci duke ia shoqëruar postimit të tij pasqyrat e mjeteve të parashikuara në buxhetin e këtij viti.