Ministria e Integrimit: Rekomandimet e Kuvendit Cenojnë Pavarësinë e Gjyqësorit dhe Integrimin në BE

Ministria e Integrimit Europian ka reaguar pas miratimit të rekomandimeve në Kuvend dhe ka kërkuar që mos të ndërhyhet në punën e gjyqësorit ngase sipas kësaj ministrie ato cenojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe cenojnë rëndë procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Në komunikatën e lëshuar nga kjo ministri thuhet se shprehin shqetësimet lidhur me miratimin e rekomandimeve të paraqitura nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.

“Këto rekomandime cenojnë rëndë pavarësinë e gjyqësorit dhe të sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe si të tilla janë në kundërshtim me parimin themelor kushtetues të ndarjes së pushteteve”, thuhet në reagim.

Tutje se rekomandimet në fjalë, cenojnë detyrimet e Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim për të respektuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë si një prej vlerave kryesore të Bashkimit Evropian.

“Ministria për Integrim Evropian thekson se miratimi i këtyre rekomandimeve vjen pak ditë pasi që Bashkimi Evropian e ka konfirmuar se Kosova e ka procesin e vet të integrimit në Bashkimin Evropian të ndarë nga Serbia dhe se zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim është detyrim për Kosovën për të ecur përpara në këtë proces”.

Më pas thuhet se ndërhyrja politike në pavarësinë e sistemit të drejtësisë, siç është miratimi i rekomandimeve në fjalë, cenojnë rëndë procesin e integrimit evropian të Kosovës si një prej proceseve më të rëndësishme për zhvillimin e vendit.