Besim Beqaj

Ministria e Inovacionit: Besim Beqaj s’ka pasur ndikim në ndarjen e granteve

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së djeshme se zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka financuar disa OJQ të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara.

E në lidhje më këtë ka reaguar kjo ministri duke thënë se ndarja e tyre është bërë nga komisionet e veçanta të formuara nga ministria në të cilat ishin të përfshirë shërbyes civil të emëruara sipas procedurave ligjore duke shtuar se ato komisione nuk i ka emëruar ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj.

“Ministria e Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë, sqaron mediat dhe opinionin publik se me kërkesë të ish-ministrit Beqaj pjesë e komisioneve të vlerësimit për grante ka qenë Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” i përfaqësuar me një anëtar, shoqëria civile me një anëtar, e po ashtu të ftuar në rolin e vëzhguesve kanë qenë përfaqësuesit e ambasadave dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për ta monitoruar procesin në tërësi”, thuhet në reagim.

Ata kanë shtuar se të ftuar për të monitoruar procesin kanë qenë edhe përfaqësuesit e Agjencisë Kundër Korrupsion.

“Në tërë këtë proces ish-ministri Beqaj, nuk ka pas kurrfarë kompetence dhe ndikim, madje gjithnjë ka kërkuar respektimin maksimal të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi. Ai gjithashtu ka kërkuar që të hapën të dhënat dhe publikimin e të gjitha dokumenteve të cilat ndërlidhen me ndarjen e granteve për bizneset “Start – Up””, thuhet në reagim.

“Prandaj,  raportimet në media për ndarjen e këtyre granteve për “Start – Up” dhe ndërlidhjen e ndarjes së tyre me emrin e ish-ministrit Besim Beqaj, nuk kanë të bëjnë me realitetin dhe paraqesin mosnjohje të procedurave për ndarjen e tyre si dhe është tendencë e hapur për denigrimin e personalitetit të tij”, përfundon komunikata.