Foto: Ministria e Inovacionit/Facebook

Ministria e Inovacionit arsyeton punësimin e personit të dënuar për korrupsion

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë i ka quajtur “të mangëta” raportimet në media lidhur më procesin e punësimit në këtë Ministri.

Ky reagim vjen pasi që kjo Ministri ka punësuar në pozitën drejtor i Departamentit Ligjor, Lulzim Kadriun, më 30 prill, i cili është dënuar për korrupsion nga Gjykata e Mitrovicës, e që për të njëjtin rast, ambasadori amerikan u shpreh kundër këtij emërimi, të dielën. 

Sipas një reagimi, kjo Ministri ka thënë se me këto raportime po tentojnë “ta dëmtojnë kredibilitetin institucional të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe në raste të caktuara kredibilitetin personal të ministrit Besim Beqaj”.

Gjithashtu sa i përket raportimeve se Beqaj është i akuzuar për veprën penale të korrupsionit, në komunikatë thuhet së kjo gjë që nuk është e vërtetë pasi ai është akuzuar për veprën penale të “shkeljes së statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Kosovës”.

“Ju njoftojmë, se punësimi në stafin civil i nënshtrohet Ligjit mbi Shërbimin Civil, Nr. 03/L-149 të miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe Rregullores 02/2010 për procedurat e rekrutimit në shërbimin civil. Sipas ligjit mbi Shërbyesit Civil dhe akteve nënligjore, procedurat e rekrutimit i organizon dhe i udhëheqë komisioni i posaçëm”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

“Me ligj është paraparë edhe formimin i komisioneve, të cilat shqyrtojnë ankesat në procedurat e rekrutimit dhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, vendimi i të cilit është përfundimtar dhe i obligueshëm. Në rastin në fjalë në asnjërën nga instancat e përmendura nuk ka pasë ankesa”, thuhet më tutje.

Sipas tyre, të vetmit të punësuar të cilët i zgjedhë dhe i emëron ministri është stafi i kabinetit të tij, të gjithë të tjerët zgjidhen dhe emërohen sipas procedurave të parapara me ligj.

www.kallxo.com