Foto: Facebook/PalLekaj

Ministria e Infrastrukturës ndan mijëra euro për Vitinë dhe Obiliqin

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka njoftuar se Ministria që ai drejton do të financojë projekte lokale në Viti dhe Obiliq.

MIT në vitin 2019 në Viti do të ndajë 116.500 euro për fillimin e realizimit të dy projekteve lokale. Kreut të kësaj Komune, Sokol Haliti, nga ministri Lekaj iu kumtua edhe lajmi se puna për kyçjen e Gërlicës në autostradën “Arbën Xhaferi” do të fillojë në qershor.

Ndërsa komunës së Obiliqit, MIT i ka ndarë mjetet financiare në vlerë prej 100.000 euro për asfaltimin e rrugës “Haxhi Ali Qerkezi”, për të cilën komuna do të paguajë edhe 95,000 euro. Ministri Lekaj e njoftoi kryetarin e kësaj komune Xhafer Gashi, se për këtë vit në këtë komunë nga MIT do të fillojë edhe renovimi i tri rrugëve regjionale, “Hasan Prishtina”, “Isa Boletini” dhe “Llapi”.

Për këto projekte janë bërë planifikimet buxhetore deri në përfundimin e plotë të tyre edhe për vitet që pasojnë.