Ministria e Infrastrukturës me katër projekte në Han të Elezit

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me kryetarin e Hanit të Elezit, Rufki Suma, për përkrahje financiare e katër projekteve infrastrukturore.

Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, janë këto projekte: Ndërtimi i mbikalimit të Paldenicës në autostradën Arbën Xhaferi; Asfaltimi i rrugës Paldenicë – Dërmjak; Asfaltimi i rrugës në fshatin Dimcë; Asfaltimi i rrugës së Paldenicës që kalon nëpër kazermë ku është vendosur Policia.

“Ky memorandum është rezultat i zotimit të ministrit Lekaj që të gjej zgjidhje për kërkesat e banorëve të Paldenicës së Hanit të Elezit. Ai ritheksoi se do të përmbushë të gjitha zotimet e dhëna ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, për projekte efikase infrastrukturore”, thuhet në postimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, të hënën.

Ndryshe, kjo ministri ka bërë të ditur së më 29 maj (e mërkurë) bëhet përurimi i autostradës ‘Arbën Xhaferi’.