Arkiv

Ministria e Infrastrukturës: Jemi të përgatitur për të mirëmbajtur rrugët nga bora 

Situata në rrugët e Kosovës pas fillimit të reshjeve të borës, Ministria e Infrastrukturës e kishte vlerësuar se është në kushtet e normales përveç në vendet malore.

Argjend Zejnaj, shef i kabinetit të Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, i kontaktuar nga KALLXO.com, tha se kjo ministri është më e përgatitur këtë sezon dhe që, sipas tij, nuk do të hasin në situata të pa menaxhueshme.

“Ministria e Infrastrukturës është e përgatitur dhe do të jetë në teren, përmes kompanive të kontraktuara që të mos kemi bllokim të rrugëve gjatë stinës së dimrit. Ju e dini që dimrin e kaluar, edhe pse e kemi gjete ketë sektor pa kontrata, ia kemi dalë që të bëjmë zgjidhje, sipas ligjit, që të mos ngelemi pa mirëmbajtje dimërore. Në ketë dimër që po hyjmë besojmë që jemi edhe me të përgatitur dhe nuk do të kemi situata të pa menaxhueshme”, tha ai.

Duke pasur parasysh që numri i aksidenteve gjatë sezonit dimërorë shënon ngritje për shkak të kushteve atmosferike, zyra e MI-së, apelon qytetaret që të kenë me vete të gjitha pajisjet e nevojshme dimërorë në makinat e tyre.

“Si gjithmonë, vozitësit duhet të respektojnë shenjat e trafikut, të mos vozitin me shpejtësi që tejkalojnë normat e lejuara dhe po ashtu të kenë me vete të gjitha pajisjet dimërorë të nevojshme në makinat e tyre. Respektimi i rregullave të trafikut rrugorë, nënkupton respektim të jetës të gjithsecilit pjesëmarrës në komunikacion”, theksoi Zejnaj nga Ministria e Infrastrukturës.