Kosova e Gjermania nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim teknik e financiar

Qeveria e Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeveria Federale e Gjermanisë e përfaqësuar nga Ambasada e Gjermanisë, kanë nënshkruar “Marrëveshjen Kornizë”, e cila rregullon bazën e bashkëpunimit teknik dhe financiar në mes të dy Qeverive.

Bedri Hamza, ministër i Financave, tha se ndihet i nderuar që si ministër i Financave ka nënshkruar këtë marrëveshje për bashkëpunim financiar e ekonomik me shtetin e Gjermanisë.

“Kjo është marrëveshja më e rëndësishme sepse përmes kësaj marrëveshje krijohet baza e bashkëpunimit për gjitha aspektet teknike e financiare për prezencën, punën e bashkëpunimin me institucionet gjermane dhe me ekspertët gjerman”, tha Hamza.

Shteti gjerman sipas Hamzës është investitori më i madh në Kosovë.

“Investimet e Gjermanisë në Kosovë janë mbi 600 milionë euro që janë investuar në energji, ujë të pijes, trajtim të ujërave të zeza, ko-gjenerim, arsim, shëndetësi dhe ngritjen e kapaciteteve teknike.

Edhe Christian Heldt, ambasadori Gjerman në Kosovë, tha se kjo marrëveshje është kryesore për të mundësuar bashkëpunimin dhe për të tregu se sa larg e kanë arrit bashkëpunimin.

“Negociatat për këtë marrëveshje janë negociuar tash e 7 vite me radhë dhe kjo është punë e përbashkët me institucionet e Gjermanisë dhe falë bashkëpunimit të mirë që e kemi pas me Ministrinë e Financave. Për ne Gjermaninë është e rëndësishme të kemi seriozitet në punë dhe këtë e kemi gjetur këtu. Për neve nënshkrimi i kësaj marrëveshje është shumë i rëndësishëm”, tha Heldt.

Heldt, shtoi se moton e kësaj marrëveshje mund ta quajnë “Ne bëjmë punë dhe flasim pak”.