Ministria e Drejtësisë 'nuk ka marrë' urdhëresë për arrest ndërkombëtar ndaj Milan Radoiçiqit

Gjatë ditës së sotme është raportuar në mediat kosovare se Ministria e Drejtësisë dhe Policia e Kosovës kanë marrë një urdhëresë nga Gjykata për lëshim të fletë-arrestit ndërkombëtar ndaj tre personave, Milan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Mihajloviq, rreth rastit të vrasjes sv ish-liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri për KALLXO.com ka thënë se nuk kanë pranuar asnjë kërkesë për lëshim të fletëarrestit për personat e përmendur.

“Deri më sot Ministria e Drejtësisë nuk ka pranuar nga Gjykata Kërkesë për lëshimin për fletarrestim ndërkombëtar. Në momentin që do të marr këtë kërkesë ne do të procedojmë më tutje”, tha Tahiri për KALLXO.com.

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, po kërkohet vetëm nga Policia e Kosovës.

Kjo për arsye se ndaj Radojiçiqit ende nuk është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar.

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq  po kërkohet pasi që i njëjti është duke u hetuar në rastin e vrasjes së liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, në janar të këtij viti.

Në nëntor të këtij viti, Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona që dyshohen se kanë qenë pjesë e vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Cak i bastisjeve të policisë ishte edhe shtëpia e Radojiçiqit por i njëjti nuk ishte gjetur aty.

https://kallxo.com/vrasja-e-oliver-ivanoviqit-ende-nuk-ka-urdher-arrest-nderkombetar-per-milan-radojiciqin/

Ndërkohë, muajin e kaluar, Rrjeti për Hulumtimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit me seli në Beograd (KRIK), raportoi se edhe biznesmeni nga Mitrovica e Veriut, Zvonko Veselinoviq, është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

https://kallxo.com/krik-edhe-zvonko-veselinoviq-i-dyshuar-ne-rastin-e-vrasjes-se-oliver-ivanoviqit/