Ministria e Diasporës, Foto: Facebook

Ministria e Diasporës pezullon zyrtarin pas arrestimit për dhënie ryshfeti

Ministria e Diasporës ka marrë vendim që të pezullojë nga puna zyrtarin Petrit Mustafa deri në vendimin përfundimtar të organeve kompetente.

Kjo pasi që i njëjti zyrtar është arrestuar nga Policia nën dyshimin për dhënie ryshfeti.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka raportuar se zyrtari i Ministrisë së Diasporës, Petrit Mustafa i ka dhënë ryshfet 3 mijë euro gardianit të Burgut të Sigurisë së Lartë Stefan Veliçkoviq për të ndihmuar arratisjen e njërit nga të arrestuarit në korrik të këtij viti në një aksion policor – Mario Millosheviq i njohur për rastin “malazezët”.

Ministria e Diasporës ka dhënë sqarime në lidhje me rastin e arrestimit.

“Me datën 08.11.2018 , duke marrë për bazë sistemin e vijueshmërisë në punë të hyrje daljeve dhe shkrimeve të mediave elektronike në lidhje me arrestimin e dy personave të dyshuar për veprat penale “marrje ryshfeti”, dhënie ryshfeti dhe përvetësim në detyrë ka kërkuar sqarim zyrtar nga Policia e Kosovës nëse i arrestuar është për punonjësin e saj P.M. , zyrtar në MDIS”, thotë njoftimi i kësaj Ministrie.

Gjithashtu thuhet se në lidhje me gjithë rastin është informuar ministri i Diasporës dhe investimeve Strategjike, dhe ka kërkuar nga Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë që të marrë masat e nevojshme konform legjislacionit në fuqi.

“Sekretarja e Përgjithshme e MDIS, bazuar në ligjet e aplikueshme ka marrë vendimin e menjëhershëm për pezullimin parandalues të zyrtarit P.M. nga detyrat si zyrtar në MDIS deri në vendimin përfundimtar të organeve kompetente”, thuhet tutje në njoftimin e Ministrisë së Diasporës.

Gardiani e zyrtari i Ministrisë së Diasporës dyshohen se bënë pazar për arratisjen e malazezit Mario Millosheviq

www.kallxo.com