Ministria e Dalibor Jevtiq u dha pagë punonjësve serbë pa punuar fare

Ministria për Komunitete dhe Kthim që udhëhiqet nga ministri serb, Dalibor Jevtiq, pagoi mbi 100 mijë euro paga për 21 punonjës serbë që nuk shkuan në vendet e tyre të punës.

Kështu thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2018.

Një vendim i Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kishte aprovuar shpërbërjen e strukturave paralele në veri të vendit të njohur edhe si “Mbrojtja Civile”. Sipas vendimit të ekzekutivit kosovar, të gjitha ministritë dhe agjencitë obligoheshin të pranonin në punë staf nga “Mbrojtja Civile”.

Në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim ishin emëruar 21 nëpunës të komunitetit serb. Këta punëtorë ishte menduar të dërgoheshin në pjesën veriore të vendit.

E punësimi i tyre i kushtoi goxha shumë buxhetit të shtetit.

“Zyrtarët e lartcekur në vitin 2018, nuk ishin paraqitur në vendin e punës, përderisa ministria i kishte bërë pagesën e pagave të tyre. Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2018, për 21 zyrtarë ishte 100,430€”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit.

Sipas raportit, arsyeja e mos shkuarjes në punë të këtyre zyrtarëve ishte mos krijimi i kushteve të mira për punë dhe mos monitorimi i tyre nga menaxhmenti i ministrisë.