Ministria e Bujqësisë ua jep tokën me qira personave që s`merren fare me bujqësi

Ministria e Bujqësisë ka të drejtë që t’u japë me qira tokë personave fizik dhe juridik që merren me veprimtari bujqësore.

Mirëpo, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria e Bujqësisë u ka dhënë me qira tokë bujqësore qiramarrësve të cilët nuk kanë ushtruar këtë veprimtari, që nënkupton se s’janë marrë me bujqësi.

Auditori kishte gjetur se janë 16 raste të tilla. Madje 12 prej tyre as nuk i kishin paguar vlerën totale të obligimeve, afër 1.3 milion euro.

“Ne kemi vërejtur se në 16 raste, qiramarrësit e tokave bujqësore nuk ushtronin veprimtari përkatëse. Përveç kësaj, 12 prej tyre nuk kishin paguar vlerën e obligimeve totale ishte 1,286,290€. Sipas kushteve të kontratës pagesa e obligimit duhet të bëhet deri me datën 10 të çdo muaji vijues”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas Auditorit kjo përbën rrezik për shkak se dhënia në shfrytëzim e tokës në kundërshtim me kërkesat ligjore, rrezikon ruajtjen dhe mbrojtjen e potencialit bujqësor.

Ndërsa sa i përket borxheve ndaj Ministrisë, Auditori thotë se kjo e rritë rrezikun që të ketë humbje financiare.

Auditori i ka kërkuar Ministrisë që dhënien e tokave me qira ta bëjë në përputhje me ligjin si dhe të ndërmarrë hapa lidhur me arkëtimin e borxhit.