ARKIV - Nenad Rikallo

Ministria e Bujqësisë punëson 38 persona pa konkurs

Ministria e Bujqësisë ka punësuar 38 punonjës me kontrata mbi vepër dhe pa asnjë procedurë të rekrutimit.

Ministria e Bujqësisë që sot drejtohet nga ministri Nenad Rikallo ka punësuar 38 punëtorë me kontratë mbi vepër, pa ndjekur asnjë procedurë të rekrutimi, pa shpallur fare konkurs për punësimin e këtyre personave.

Madje sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit këta 38 punonjës kishin filluar punën ende pa nënshkruar marrëveshje/kontrata të punës.

“MBPZHR për vitin 2017 kishte të angazhuar 38 punonjës me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta, pa procedurë të rekrutimit. Në bazë të ligjit për shërbimin civil të Kosovës, këto i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për to duhet të zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit. Të njëjtit ishin angazhuar në punë para nënshkrimit të marrëveshjes për punë”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas këtij raporti kjo është në kundërshtim me vet marrëveshjen, për shkak se aty thuhet që kjo marrëveshje hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit.

Sipas Auditorit angazhimi i punëtorëve pa i ndjekur procedurat adekuate të rekrutimit e rrit rrezikun që të angazhohet persona jo kompetent e që mund të rezultojë me mos-efikasitet.

Gjatë 2017 me Ministrinë e Bujqësisë kanë udhëhequr dy njerëz. Në qeverinë Haradinaj ky dikaster po udhëhiqet nga ministri i Listës Serbe, Nenad Rikallo, ndërsa në qeverisjen e kaluar atë të Isa Mustafës me bujqësinë ka udhëhequr Memli Krasniqi.

Auditori ka gjetur edhe në institucione tjera punësime të shumta me kontrata të veçanta e pa konkurs.

Në komunën e Kamenicës ishin punësuar 22 persona pa konkurs gjatë vitit të kaluar.

https://kallxo.com/gjnk/komuna-e-kamenices-puneson-22-persona-pa-konkurs/

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Hykemte Bajrami në një seancë të Kuvendit të Kosovës ngriti këtë çështje, duke thënë se në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë janë punësuar mbi 40 persona mbi kontrata mbi vepër.

https://kallxo.com/hykmete-bajrami-ne-mti-jane-punesuar-40-persona-me-kontrata-mbi-veper/