Komisioni per Bujqesi...12.02.2019 - KALLXO

Ministria e Bujqësisë pa udhëheqës, shtyhet raportimi në Komisionin Parlamentar

 

Mos emërimi i një udhëheqësi të ri të Ministrisë së Bujqësisë, pas shkarkimit të Nenad Rikallos, ka bërë që zëvendësministri dhe sekretari i këtij dikasteri të mos raportojnë para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor lidhur me grantet e kësaj ministrie.

Kryetari i Komisionit, Muharrem Nitaj (AAK), tha se gjatë ditës ka zhvilluar takime me përfaqësues të ministrisë, të cilët i kanë dorëzuar raportin për grantet.

“Ne i kemi dërguar ftesë ministrit Rikallo për të raportuar në komision, ndërkaq, të nesërmen ai është shkarkuar. Kam pas takim me njërin prej zëvendësministrave, por nuk do të raportojnë pasi ende nuk ka vendim të kryeministrit se kush do të jetë ushtrues detyre i ministrit”, tha ai.

Gjendjen e krijuar në komision dhe ministri e kritikuan edhe anëtarët e tjerë, si Ganimete Musliu (PDK) dhe Salih Zyba (LVV).

Mos raportimi i përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë dhe dërgimi i raportit, për Musliun ishte e pakuptimtë.

“Është e pakuptimtë që ta marrim raportin në kohën kur ata do të duhej të ishin këtu për të raportuar. Propozoj që sot kryeministrit t`i kërkohet të zgjedh një përfaqësues të ministrisë sepse ministria nuk duhet të lihet në këtë mënyrë”, tha deputetja.

Pas diskutimit, deputetët e shtynë për mbledhjen e radhës pikën 4 të rendit të ditës, informata lidhur me grantet e Ministrisë së Bujqësisë, të ftuar zv. Ministri dhe Sekretari i Ministrisë.

Anëtarët e Komisionit u pajtuan që t’i dërgohet një shkresë kryeministrit Ramush Haradinaj që në mbledhjen e ardhshme të dërgojë  një përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, ose të marr pjesë vetë ai.

Komisioni shqyrtoi edhe pika të tjera të rendit të ditës, si dhe vendosën që këtë të premte të zhvillojnë një vizitë në Inspektoratin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.