Ministria e Austrisë tregon a u arrestua Daut Haradinaj

Autoritetet e Austrisë kanë mohuar se deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj është arrestuar në Vjenë.

Haradinaj, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka një fletëarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia që nga paslufta.

Dje në media është raportuar se ai ishte ndaluar nga autoritetet në Vjenë për shkak të këtij fletëarresti.

Lidhur me këtë çështje, BIRN ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, të cilët kanë mohuar se ka pasur arrest.

“Ky është një informacion i pasaktë. Nuk ka pasur arrestim”, thuhet shkurt në përgjigjen e Ministrisë.

Megjithatë, ata nuk kanë dhënë detaje të tjera nëse deputeti është ndaluar apo marrë në pyetje në Aeroportin e Vjenës.

Dje, familjarë dhe bashkë-partiakë të Daut Haradinaj kanë mohuar se deputeti është ndaluar apo arrestuar në Vjenë.

Megjithatë, burime brenda familjes Haradinaj kanë thënë se Daut Haradinaj nuk është arrestuar e as ndaluar, por vetëm i është përmbajtur procedurave pas shkuarjes në Vjenë pasi që i njëjti ka fletëarrest nga Serbia që nga koha e pasluftës.

Njëjtë ka thënë edhe Muharrem Nitaj, bashkëpartiak i Haradinajt.

“Daut Haradinaj nuk ka asnjë telashe. Është në rrugën e tij. Sapo fola me te dhe ai është me miq duke pirë kafe”, tha Nitaj për KALLXO.com.

Deputeti po ashtu ka postuar fotografi në Facebook nga Vjena, pak minuta pas raportimeve.

Dy vite më parë, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ishte ndaluar nga autoritetet në Francë si pasojë e një fletë arresti nga Serbia.