Ministri Abelard Tahiri - Foto: Ministria e Drejtësisë
Ministri Tahiri: Zyrtarët e korruptuar do të përballen me dënime të larta
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, me rastin e hapjes së “Javës kundër korrupsionit” përmes një mesazhi ka ritheksuar përkushtimin e tij për të vazhduar jo vetëm në luftimin e korrupsionit, por edhe në masat konkrete për parandalimin e tij.
“Hartimi nga Ministria e Drejtësisë si dhe miratimi nga Parlamenti i Kodit Penal, Ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit si dhe ai për Mbrojtjen e sinjalizuesve, kanë mundësuar ri-përcaktimin e veprave penale të korrupsionit, keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrjen dhe dhënien e ryshfetit, mashtrimin në detyrë, keqpërdorimin në prokurimin publik, duke i dhënë një përgjigje të fuqishme kërkesave për parandalimin e veprave korruptive në nivelin e ushtrimit të detyrës zyrtare”, ka thënë Tahiri.
Ai po ashtu ka shtuar se zyrtarët e korruptuar do të përballen me dënime të larta, ndërsa pos ndjekjes penale, për këto vepra do të zbatohet edhe konfiskimi i pasurisë.
“Për të pamundësuar abuzimin me detyra zyrtare, kemi punuar edhe në ndalimin njëherë e përgjithmonë të pozitave të shumta dhe përfitimit të shumëfishtë nga ushtrimi i funksioneve nëpër komisione e borde e ndërmarrje të ndryshme”, ka theksuar Tahiri.
Sipas tij, betejën politike dhe institucionale kundër kësaj dukurie nuk duhet ta shohin vetëm si thirrje të jashtme për të përmbushur standardet europiane, “por duhet ta kemi prioritet nacional dhe nevojë të brendshme dhe të domosdoshme, për të rrënuar idenë e abuzimit me institucionet publike”.
“Zbatimi sa më i efikas i ligjeve të miratuara nga mekanizmat ligjzbatues sot përbën një detyrë primare për shtetin e Kosovës, me synim që të prodhohen efekte sa më të shpejta në këtë përpjekje”, ka thënë Tahiri.
Ministri po ashtu ka shtuar se në funksion të këtij qëllimi, Ministria e Drejtësisë ka lansuar edhe agjendën “Drejtësia 2020”.
“Me që rast krijimi i kushteve sa më të domosdoshme për zbatimin e ligjeve të miratuara, do të jetë njëra nga shtyllat kruciale të reformave të gjithanshme institucionale që kemi ndërmarr në sferën e sundimit të ligjit dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës”, përfundon mesazhi i Tahirit.