Ministri Abelard Tahiri - Foto: Ministria e Drejtësisë

Ministri Tahiri reagon: Çdo gjë reformuese është e papranueshme për VV

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka reaguar pas deklarimeve të partisë Lëvizja Vetëvendosje.

Sot, Lëvizja Vetëvendosje ka adresuar kritika ndaj ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri për procesin e rekrutimit të noterëve, duke thënë se i tërë procesi është komprometuar, pasi sipas tyre qëllimi kryesor i ministrit ka qenë dhënia e licencës militantëve partiak dhe të afërmeve të zyrtarëve të PDK-së për të vazhduar kapjen e shtetit.

Abelard Tahiri ka thënë se janë të papranueshme deklaratat e deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të ministrit Abelard Tahiri:

“Është i pa pranueshëm sulmi që sot Lëvizja Vetëvendosje i bëri një procesi tërësisht profesional e të udhëhequr sipas ligjit, atë të provimit të Noterisë.

Nga një pozicion ekskluzivisht politik, deputetja Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje përmes një konference për media mori guximin për të komentuar dhe gjykuar një proces ekskluzivisht profesional e apolitik.

Ndërhyrje më arbitrare në një Republikë ku sundon rendi e ligji nuk ka, sesa t’i klasifikosh qytetarët si të pa denjë për të qenë pjesë e garës së lirë në zhvillimin e tyre profesional e të karrierës”, thuhet në reagimin e ministrit Tahiri.

“Kjo është e pa falshme për një parti politike dhe është mënyra më absurde përmes së cilës Vetëvendosje e tregon degradimin e konceptit të saj politik, në raport me liritë dhe të drejtat themelore që i njeh Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Një proces, për të cilin ka definim të qartë ligjor se kush mund të jetë pjesë, si realizohet i njëjti, në sa faza, si bëhet vlerësimi dhe licencimi, është më tepër se absurde të kesh nevojë ta interpretosh”, thuhet tutje në reagim.

Ministri i Drejtësisë ka siguruar qytetarët e Kosovës se procesi mbi Noterinë po zhvillohet mbi bazën e ligjit.

“Dëshiroj të siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, se Ligji i ri për Noterinë dhe shtimi i numrit të tyre sipas formulës 1 Noter në 10 mijë banorë, është menduar dhe është duke u realizuar për të ofruar shërbimet sa më afër tyre, për të rritur efikasitetin dhe për të mundësuar qasjen më të lehtë në shërbime noteriale në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Si një ndër masat që mundësojnë qasje më të lehtë e më të shpejtë në drejtësi, i tërë ky proces i udhëhequr ekskluzivisht mbi bazën e ligjit, është reformë që do arrijë efektet që do t’i ndjejnë qytetarët”, thuhet tutje në përgjigjen e Tahirit.

“E problem me këtë reformë, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, ka vetëm Lëvizja Vetëvendosje, për të cilën, çdo gjë reformuese dhe në dobi të qytetarëve është e pa pranueshme në orbitën e saj.

Por i siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës, se as Vetëvendosje dhe askush tjetër nuk do ta kenë komoditetin për ta shfrytëzuar një proces tërësisht profesional e ligjor për të arritur qëllimet e veta. Është koha e fundit që Lëvizja Vetëvendosje të piqet politikisht, për të bërë dallimin mes zbatimit të ligjit dhe politizimit të çdo gjëje që ndërlidhet me proceset profesionale.

Çdo parregullsi eventuale apo dyshim, ka adresë se si mund të trajtohet dhe adresa është ligji, zbatimi i tij dhe masat për shkeljen e tij.

Nuk mund të tolerojmë që çështjet profesionale e të përcaktuara shumë qartë nga ligji, të jenë subjekt i ujdive politike dhe as manipulimeve me opinionin.

Një tendencë e tillë si kjo e sotshmja, nuk është aspak shqetësuese për procesin e provimit të noterisë që është realizuar mbi kriteret e definuara mjaft qartë, por është shqetësuese për mënyrën dhe modelin devalvues të çdo gjëje pozitive që ndodhë në këtë vend, të cilën Lëvizja Vetëvendosje përpiqet t’ia shërbejë qytetarëve të Republikës së Kosovës në mënyrë të kundërt”, thuhet në fund të përgjigjes.