Arkiv - Milan Radoiçiq (në mes, pa kravatë), pasi u emërua nënkryetar i Listës Serbe, Foto: Kossev/Balkan Insight

Ministri Tahiri: Raportet Vuçiq e Radoiçiq sikur urdhërdhënësi e ekzekutori në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, tha se në vend të vënies para drejtësisë së të dyshuarit kryesor për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është marrë me amnistinë e të dyshuarit.

Ministri Tahiri shkroi në llogarinë e tij në Facebook se “kërkesat e autoriteteve të Kosovës ndaj autoriteteve serbe për bashkëpunim juridik në rastin e vrasjes së Ivanoviqit kanë ngecur në atë çast kur të gjitha dyshimet e bazuara e nxorën Millan Radojçiqin si të dyshuarin kryesor për atentatin vdekjeprurës, që shtetasit dhe politikanit të Republikës së Kosovës, Oliver Ivanoviq, i kushtoi me jetë”.

“Nuk ka asnjë shpjegim racional përveç faktit se në mes të Vuçiqit dhe Radojçiqit ekziston një marrëdhënie e tillë e urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit. Qytetarët e Kosovës dhe veçmas ata të komunitetit serb duhet të jenë të sigurt se drejtësia, herët a vonë, do ta sjellë para përgjegjësisë autorin e këtij krimi dhe të vërtetën e faktuar nuk do të ketë regjim që do të mund ta amnistojë”, shkroi Tahiri në Facebook.

Ivanoviq është vrarë më 16 janar, 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut. Ai ka qenë kryetar i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.

Në nëntor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në veri të Mitrovicës, të cilët dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e Ivanoviqit, ndërsa Radojçiq, i cili është kërkuar po ashtu, nuk është gjetur në banesën e tij.

Pas këtij aksioni të policisë ka reaguar presidenti i Serbisë, Vuçiq, i cili ka thënë se shteti serb dhe policia mund të thonë me siguri se Radojçiq nuk e ka vrarë Ivanoviqin.

Vuçiq ka thënë se Radojçiq është intervistuar nga prokurorët në Beograd dhe se është vërtetuar se ai nuk ka marrë pjesë në vrasje.