Ministri Tahiri: Investimet në qendra korrektuese kanë parandaluar dukuritë negative

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri sot ka takuar drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi dhe drejtorët e Qendrave Korrektuese të Kosovës.

Tahiri ka vlerësuar punën e bërë në dy vitet e fundit, që sipas tij rezultoi me ndryshime të mëdha në menaxhimin e Qendrave Korrektuese.

“Sistemi korrektues ka shënuar një avancim jashtëzakonisht të madh përgjatë dy viteve të fundit. Me përkushtim dhe angazhim të vazhdueshëm ia kemi arritur të transformojmë perceptimin dhe imazhin e Qendrave Korrektuese. Kemi përmirësuar infrastrukturën dhe kemi shtuar kapacitetet.  Është rritur siguria si dhe janë luftuar dhe parandaluar dukuritë negative brenda tyre”, ka thënë ai.

Tahiri ka shtuar se këto qëndra kanë edhe funksion risocializimi.

“Sot, Qendrat Korrektuese plotësojnë të gjitha standardet bashkëkohore, dhe të njëjtat krahas funksionit korrektues kanë edhe funksion të plotë risocializimi. I tërë ky progres nuk do të mund të bëhej pa përgjegjësit dhe oficerët e këtij shërbimi, që në baza ditore menaxhojnë me këto Qendra” ka thënë ministri Tahiri.