Ministri Shala: Festivali i Birrës dhe Verës nuk do të mbahet as sonte

Nata e fundit e Festivalit të Birrës dhe Verës në Prishtinë, nuk do të mbahet këtë mbrëmje.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

“Jo, nuk do të mbahet. Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ka marr vendim për shkak të parregullsive të hasura dje gjatë inspektimit dhe ai organizim nuk do të mbahet më. Me vendim të Inspektoratit është i mbyllur”, ka thënë ministri Shala.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala mbrëmjen e së hënës kishte urdhëruar inspektorët e tregut pranë MTI-së që të mbyllin Festivalin e Birrës dhe Verës që po mbahej në pllaton e Pallatit të Rinisë në kryeqytet, që nga e premtja.

Ministri kishte deklaruar  se këtë veprim e ka marrë pasi në këtë festival janë lejuar të hyjnë dhe kanë konsumuar alkool persona të mitur.

“Pas ankesave të shumta nga qytetarët dhe për shkak të shkeljeve të evidentuara respektivisht lejimit të hyrjes dhe konsumimit të pijeve alkoolike nga persona të mitur nën moshën 18 vjet, kam urdhëruar inspektoriatin e tregut të MTI që në këto momente të mbyllë aktivitetin ‘Beer and Wine Festival Prishtina’ që po mbahet në pllaton e pallatit të rinisë në Prishtinë!”, ka shkruar Shala në llogarinë e tij në Facebook.

Ky vendim i pasoi incidentit që ndodhi në  këtë festival të dielën mbrëma, ku një person ishte plagosur me thikë.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka provuar të marr një qëndrim edhe nga organizatorë të festivalit në fjalë, por ata kanë qenë të paqasshëm.

Ndërkaq, në rrjetin social Facebook, pak minuta më parë, “Beer and Wine Festival” ka njoftuar të gjithë adhuruesit e saj se bazuar në vendimin e MTI-së e përfundon edicionin e 7-ë të tij, ndonëse kanë shtuar se nuk pajtohen me këtë vendim.

“Vendimet e dala nga institucionet e Republikës së Kosovës ne do t’i respektojmë plotësisht edhe pse nuk mund të pajtohemi në rastin konkret. Në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, Besa Security, ne e kemi e ngritur edhe nivelin e kontrollit në ambientin ku po mbahej festivali.

Sipas tyre, janë marr të gjitha masat e parapara në pikat hyrëse duke bërë verifikimin e moshës përmes prezantimit të dokumenteve identifikuese dhe kontrollës sistematike të personave që kanë vizituar festivalin.

“Lejimi i personave nën moshën 18 vjeçare ju është mundësuar vetëm atyre që kanë qenë nën përcjellje të bashkëfamiljarëve dhe assesi nuk ju është lejuar blerja e alkoolit në pikat shitëse. Pjesëmarrësit e brendeve alkoolike kanë qenë shumë mirë të informuar dhe të vetëdijshëm për pasojat që mund ti marrin në rast se ju shërbehet alkool të miturve”, thuhet në njoftim.

Festivali është shprehur se i pret adhuruesit në edicionin e vitit 2020.

“Nëpër stande kanë qenë gjithashtu të vendosura edhe njoftimet për ndalimin e shitjes së alkoolit për të mitur – e paraparë me rregulloret në fuqi. Arsye tjetër është edhe hapësira jo e mjaftueshme për mbajtjen e festivalit duke e pas parasysh rritjen e numrit të madh të adhuruesve të saj. Do të shihemi në edicionin e radhës 2020 dhe për çdo risi do ju njoftojmë me kohë”, përfundon njoftimi.