Ministri Serb i Shokuar që BE-ja Financon BIRN-in

Nebojsa Stefanoviq tha se është e pabesueshme se BE-ja financon media në rajon për të cilat ai thotë se publikojnë gënjeshtra.

“Unë mendoj se është e pamundur që BE-ja është duke i financuar disa media, institucione që po shpërndajnë gënjeshtra, siç është artikulli i ‘Tamnava’, që u publikua nga BIRN,” i ka thënë ai transmetuesit publik RTS të enjten.

Duke iu referuar vizitës së Komisionerit të BE-së për zgjerim, Johannes Hahn të premten në Beograd i cili do të marrë pjesë në një mbledhje të qeverisë të shtunën, ai tha se Serbia do të shfrytëzojë mundësinë për të kërkuar një qëndrim të qartë nga BE-ja për mosmarrëveshjet e fundit të Serbisë me Kroacinë dhe në media.

BIRN “trazoi puplat’, në Serbi në janar të vitit 2015 me publikimin e një hulumtimi për pompimin e ujit dhe baltës jashtë minierës së Tamnavës, detyrë kjo që i ishte kontraktuar një kompanie lokale, Energotehnika- Juzna Backa, dhe partnerit të saj rumun, Ness.

Gazetari i BIRN, Aleksandar Gjordeviq, që e ka realizuar hulumtimin, fitoi çmimin e parë në çmimet e BE-së për gazetari hulumtuese në Serbi për raportin e tij “Pompimi nga gropa dhe buxheti”, që ishte emëruar artikulli më i mirë hulumtues në vitin 2015.

Në hulumtimin e tij, Gjordeviq zbuloi përveç të tjerash, se edhe pse konkurruesve u kërkohej që të kishin së paku një referencë relevante për punën e pompimit të sasive të mëdha të ujit, asnjë nga fituesit e tenderit nuk kishin eksperiencë të tillë.

BIRN shkroi se vonesa disamuajshe derisa kanë vazhduar procedurat e tenderit dhe derisa puna filloi, i kushtuan Serbisë miliona euro për çdo ditë. Kjo duke llogaritur çmimin e importimit të elektricitetit dhe qymyrit shtesë.

Hulumtimi gjithashtu zbuloi se drejtori i Energotehnika, Dragoljub Zbiliq, ishte në gjykim për evazion tatimor në qytetin e Kragujevcit.

Që nga publikimi i hulumtimit vitin e kaluar, BIRN është munduar të marrë informacione nga furnizuesi i Serbisë me rrymë EPS se sa ka kushtuar saktë pompimi i ujit nga miniera dhe sa para ka harxhuar shteti i Serbisë për ta paguar Energotehnika-n.

BIRN ka kërkuar faturën e EPS për shërbimin, si dhe dokumentet nga Energotehnika më 3 shkurt të vitit 2015.

EPS nuk ka kthyer asnjëherë përgjigje dhe si rezultat, Komisioneri për Informacione me rëndësi publike shqiptoi dy gjoba prej 160 dhe 1500 euro.

Kjo nuk është hera e parë që anëtarë të qeverisë serbe dhe partia lidere, Partia Progresive e Serbisë e kanë akuzuar BIRN-in për gënjeshtra.

Në korrik kjo parti ka shfaqur një ekspozitë në Beograd të quajtur “Gënjeshtra të pacensuruara” për ta mbështetur deklaratën se mediat janë të lira ‘të gënjejnë’ dhe nuk vuajnë asnjë censurë zyrtare.

Një nga artikujt e shfaqur në ekspozitë ishte hulumtimi i BIRN, “Pompimi nga gropa dhe buxheti”, së bashku me raporte mediave tjera  për këtë artikull.

Redaktorë të njohur dhe organizata të mediave e kanë akuzuar partinë lidere në Serbi se po shton presion në lirinë e mediave duke organizuar ekspozitë, që megjithatë kanë vazhduar të shfaqen nëpër Serbi me Ministrin Stefanoviq si një nga promovuesit e saj.