Ministri i Diasporës në komision | Foto: KALLXO.com

Ministri Pyetet për Pagat e Drejtorëve

Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike i shtruan pyetje ministrit të Diasporës Valon Murati rreth pagave të tre drejtorëve të qendrave kulturore që veprojnë jashtë vendit.

Në këtë komision u debatuan me ministrin Murati gjetjet e raportit të auditorit për ministrinë që ai drejton.

Enver Hoti, anëtar i komisionit nga Nisma kërkoi të dijë nga ministri pse këta drejtorë paguhen nga kategoria mallra e shërbime.

“Keni një marrëveshje ashtu siç e keni quajtur me i pagu tre Drejtorët e Qendrave Kulturore jashtë vendit nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve përmes një marrëveshjeje për shërbime të veçanta, ku vlera e tyre për periudhën janar dhjetor arrin diku mbi 71 mijë euro. Pse janë këta drejtorë atje dhe si mund të bëhet kjo,” pyeti  Hoti.

Për të njëjtën gjë ministrin Murati e pyeti anëtarja e komisionit nga LDK-ja Synavere Rysha që kërkoi të dijë pse këta drejtorë paguhen me para në dorë.

“Pyetja ime është pse nuk i keni futur këta drejtorë në listën e pagave, a keni ndonjë rregullore në bazë të çkafit i keni emru dhe flitet për pagat të larta që i marrin në dorë, kjo kështu nuk ndodh askund, thjesht është e papranueshme,” tha Rysha.

Ministri Murati duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të komisionit rreth tre drejtorëve, e pranoi se as ai, e as ish-ministri i diasporës nuk kanë mundur ta rregullojnë këtë çështje.

“Në mandatin e kaluar janë hapur këto tri qendra kulturore në Suedi, në Zvicër dhe në Turqi, por as unë e as ish-Ministri nuk kemi qenë në gjendje që tre drejtorët t’i fusim në listën e pagave, për neve vazhdon me qenë problem kjo çështje,” tha Murati.

Ai u tha anëtarëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike që nëse pagesën për këta drejtorë e konsiderojnë të jashtëligjshme, këto qendra duhet të mbyllen.

“Ne jemi në procedim të ligjit të ri për ta ndryshuar këtë gjendje, nëse mendoni se është e jashtëligjshme pagesa e tyre, ne duhet me i mbyll qendrat kulturore, sepse ekziston një rregullore për funksionim e këtyre qendrave dhe pagesën e këtyre drejtorëve,” tha Murati.

Këta drejtorë me një përllogaritje të thjeshtë nga shuma që ndahet për pagat e tyre del se paguhen nga 2 mijë euro në muaj, ose 24 mijë euro në vit.

Sipas raportit të auditorit për vitin 2015, Ministria e Diasporës nga nëntë rekomandimet për të nuk ka adresuar katër prej tyre.

Valon Murati tha se kjo ministri nuk mund të funksionojë pa avance.

“Sa i përket vitit 2015 ne kemi shpenzuar 99.9 për qind të buxhetit, rekomandimet që nuk i kemi adresuar dhe do të përsëriten edhe këtë vit janë çështja e avancave. Është e pamundur që ne të operojmë pa këtë të gjetur sepse fatkeqësisht  rregullativa ligjore na e pamundëson këtë,” tha Murati.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa nuk u shqyrtua raporti i auditorit për Ministrinë e Bujqësisë për vitin 2015, për arsye se ministri Memli Krasniqi gjendet në Londër.